Një rast shumë i rrallë është regjistruar në Kolumbi, ku dy fëmijë binjakë rezultuan se kanë baballarë të ndryshëm.
Ngjarja u zbulua dy vite pas lindjes së fëmijëve, kur nëna iu drejtua një laboratori gjenetik pranë Universitetit Kombëtar të Kolumbisë për të konfirmuar atësinë.
Fillimisht, analiza e ADN-së dha një rezultat të pazakontë, çka bëri që mjekët ta përsërisnin testin për siguri. Edhe testi i dytë konfirmoi të njëjtin përfundim, binjakët kishin baballarë të ndryshëm.
Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një fenomen shumë të rrallë të quajtur superfekondim heteropatern, i cili ndodh kur një grua kryen marrëdhënie seksuale me dy burra të ndryshëm brenda të njëjtit cikël ovulimi dhe dy vezë të ndryshme fekondohen nga spermatozoidë të ndryshëm.
Shkencëtarët përdorën analizën e ADN-së me metoda të avancuara, duke krahasuar fragmente të vogla gjenetike mes nënës, fëmijëve dhe babait të dyshuar. Rezultatet treguan se njëri nga binjakët kishte përputhje gjenetike me burrin që u testua, ndërsa tjetri jo.
Drejtori i laboratorit, profesori William Usaquén, deklaroi se në 26 vite punë, ky ishte rasti i parë i tillë që haste personalisht.
Sipas të dhënave shkencore, raste të tilla janë regjistruar vetëm rreth 20 herë në të gjithë botën, duke e bërë këtë një fenomen jashtëzakonisht të rrallë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)