Një gjyqtar në Spanjë ka përfunduar nën procedim disiplinor pasi në tekstin e një vendimi gjyqësor janë zbuluar detaje që tregojnë se për përgatitjen e dokumentit ishte përdorur ChatGPT.
Rasti u konsiderua i rëndë nga Këshilli i Përgjithshëm i Pushtetit Gjyqësor, i cili vendosi t’i vendosë magjistratit një gjobë prej 1 mijë eurosh për shkelje të rëndë, por pa e pezulluar nga detyra. Vendimi u mor me shumicë votash nga komisioni disiplinor, i cili e cilësoi rastin si shkelje të rregullave mbi menaxhimin dhe publikimin e të dhënave të përftuara gjatë ushtrimit të funksionit.
Fillimisht, prokuroria kishte kërkuar një masë më të ashpër, duke propozuar pezullim 15-ditor dhe sanksion financiar, duke e konsideruar veprimin si një shkelje shumë serioze dhe madje si “injorancë e papranueshme” në ushtrimin e detyrës. Megjithatë, kjo linjë nuk u mbështet nga organet disiplinore, ndërsa një pjesë e akuzës kërkoi edhe mbylljen e çështjes pa ndëshkim.
Sipas Këshillit Gjyqësor, problemi nuk qëndronte te përdorimi i inteligjencës artificiale në vetvete, por te mënyra se si ajo ishte përdorur. Institucioni vlerësoi se gjyqtari nuk ia kishte deleguar plotësisht vendimmarrjen sistemit, por e kishte përdorur atë si ndihmë shtesë në hartimin e vendimit.
Rasti vjen në një moment të ndjeshëm, pasi në janar CGPJ kishte miratuar udhëzime të qarta për përdorimin e inteligjencës artificiale në sistemin gjyqësor. Sipas këtyre rregullave, sistemet automatike nuk mund të marrin vendime, të vlerësojnë prova apo të zbatojnë ligjin pa një kontroll të plotë dhe të vazhdueshëm nga njeriu.
Gjithashtu, theksohet rëndësia e mbrojtjes së të dhënave, të drejtave themelore dhe shmangies së paragjykimeve algoritmike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)