Projekti ambicioz i Arabisë Saudite për ndërtimin e godinës më të lartë në botë ka marrë sërish hov, pasi “Jeddah Tower” ka arritur në 100 kate, duke sinjalizuar rifillimin e plotë të punimeve pas viteve me vonesa.
Kulla, e cila po ndërtohet në qytetin e Jeddahut, pritet të kalojë lartësinë prej 1,000 metrash, duke u bërë ndërtesa e parë në histori që thyen kufirin e një kilometri. Me përfundimin e saj, ajo do të lërë pas Burj Khalifa, që aktualisht mban rekordin me 828 metra.
E projektuar nga studio amerikane Adrian Smith + Gordon Gill Architecture, kulla ka kaluar tashmë gjysmën e ndërtimit dhe konsiderohet një nga projektet më të avancuara në Arabinë Saudite. Përfaqësuesit e projektit e cilësojnë këtë moment si një arritje të rëndësishme në rrugën drejt përfundimit.
“Jeddah Tower” pritet të inaugurohet në gusht të vitit 2028 dhe do të jetë pjesë qendrore e “Jeddah Economic City”, një zhvillim urban gjigant me sipërfaqe mbi 5 milionë metra katrorë, që synon të kthejë zonën në një qendër të re ekonomike dhe rezidenciale.
Ky projekt është pjesë e strategjisë “Vision 2030”, me të cilën Arabia Saudite synon të diversifikojë ekonominë dhe të reduktojë varësinë nga nafta. Kulla, përveç lartësisë rekord, shquhet për dizajnin modern dhe efikasitetin strukturor.
Me një kosto që varion nga 1.2 deri në 2.7 miliardë dollarë, “Jeddah Tower” pritet të shndërrohet në një simbol të ambicies globale të Arabisë Saudite dhe një ikonë e re arkitekturore në botë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)