Qeveria ndryshon rregullat për stacionet e plazhit, kontratat për 2026 mbyllen brenda qershorit

Në rastet kur ndodhin ndryshime në kapacitetet e strukturave akomoduese, në zonat e plazhit apo në zhvillimet përgjatë vijës bregdetare, çdo modifikim i marrëveshjeve do të mund të bëhet vetëm me miratimin e të dyja palëve.

13.05.2026. 19:23

Qeveria ndryshon rregullat për stacionet e plazhit, kontratat për 2026 mbyllen brenda qershorit

Qeveria ka miratuar disa shtesa në rregulloren që përcakton kushtet dhe kriteret e funksionimit të stacioneve të plazhit, duke vendosur afate të reja për lidhjen e kontratave dhe rregulla më të qarta për ndryshimet në marrëveshjet ekzistuese. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, i firmosur nga kryeministri Edi Rama, për sezonin turistik të vitit 2026 kontratat e qirasë për përdorimin e hapësirave bregdetare do të finalizohen brenda muajit qershor.

Ky afat vendoset si përjashtim nga praktikat e mëparshme, me qëllim përmbylljen më të hershme të procedurave administrative. Ndërkohë, akti i ri përcakton edhe mënyrën se si do të trajtohen kontratat ekzistuese. Në rastet kur ndodhin ndryshime në kapacitetet e strukturave akomoduese, në zonat e plazhit apo në zhvillimet përgjatë vijës bregdetare, çdo modifikim i marrëveshjeve do të mund të bëhet vetëm me miratimin e të dyja palëve.

Çdo ndryshim do të duhet të formalizohet përmes një marrëveshjeje të re të nënshkruar reciprokisht. Zbatimi i këtij vendimi do të ndiqet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, ministria përgjegjëse për turizmin, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore. Akti hyn në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)