Rritja e çmimit të karburantit, qeveria subvencionon operatorët e transportit publik, 50 lekë për litër naftë

Vendimi i qeverisë parashikon kompensim financiar për çdo litër nafte të përdorur nga subjektet që operojnë në transportin qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas.

13.05.2026. 14:02

Rritja e çmimit të karburantit, qeveria subvencionon operatorët e transportit publik, 50 lekë për litër naftë

Qeveria ka miratuar një paketë mbështetëse për operatorët e transportit publik, në përpjekje për të përballuar efektet e rritjes së çmimeve të karburanteve në vend.

Vendimi parashikon kompensim financiar për çdo litër nafte të përdorur nga subjektet që operojnë në transportin qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se qeveria do të subvencionojë me 50 lekë për litër naftë të gjitha shoqëritë e transportit publik, si masë për të lehtësuar kostot e shtuara nga kriza e hidrokarbureve.

Sipas tij, vendimi është marrë pas konsultimeve me përfaqësues të shoqatave të transportit, bashkive dhe Ministrisë së Ekonomisë, ku janë diskutuar vështirësitë financiare që po përballon sektori.

“Në kuadër të masave subvencionuese për kohën e krizës së hidrokarbureve, kemi vendosur të mbështesim transportin qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas. Jemi ulur me shoqatat dhe kemi dëgjuar shqetësimet e tyre. Bëhet fjalë për 50 lekë për litër për të gjitha shoqëritë e transportit publik”, deklaroi Karakaçi.

Ai shtoi se kompensimi do të aplikohet me efekt prapaveprues duke nisur nga muaji mars, periudhë që përkon edhe me fillimin e rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburanteve në tregun shqiptar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)