12 të vrarë në Liban nga sulmet izraelite, mes viktimave edhe dy fëmijë

Ministria e Shëndetësisë në Liban bëri të ditur se të paktën 2.896 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që prej 2 marsit të këtij viti. Rreth 9 mijë persona janë plagosur.

13.05.2026. 21:53

12 të vrarë në Liban nga sulmet izraelite, mes viktimave edhe dy fëmijë

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën si pasojë e shtatë sulmeve ajrore izraelite të kryera gjatë ditës së sotme në jug të Libanit, ku në shënjestër kanë qenë automjete të ndryshme. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria libaneze e Shëndetësisë. Sipas autoriteteve, tetë persona, duke përfshirë edhe dy fëmijë, u vranë pasi dronët goditën tre automjete në autostradën bregdetare në zonat Barja, Jiyeh dhe Saadiyat, rreth 20 kilometra larg Bejrutit.

Katër viktima të tjera u raportuan nga sulmet ndaj katër makinave në jug të vendit, në qytetin Sidon dhe në lokalitetet Maaliyeh, Chaaitiyeh dhe Naqoura. Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur infrastrukturë të Hezbollahut në disa zona të jugut të Libanit. Forcat Mbrojtëse të Izraelit akuzuan gjithashtu luftëtarët e Hezbollahut për lëshimin e disa dronëve, disa prej të cilëve shpërthyen pranë zonave ku operonin trupat izraelite në Libanin jugor.

Mbi 2.896 të vrarë prej 2 marsit

Ministria e Shëndetësisë në Liban bëri të ditur se të paktën 2.896 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që prej 2 marsit të këtij viti. Sipas të njëjtit burim, numri i të plagosurve ka arritur në të paktën 8.824 persona.

Mbi 10 mijë banesa të dëmtuara

Më shumë se 10 mijë banesa janë shkatërruar ose dëmtuar në Liban që nga hyrja në fuqi e armëpushimit mes Hezbollahut, të mbështetur nga Irani dhe Izraelit. Kjo u konfirmua nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve Shkencore të Libanit (CNRS).

Pavarësisht armëpushimit, Izraeli vazhdon të kryejë sulme intensive, veçanërisht në jug të vendit, ndërsa Hezbollahu vijon të marrë përgjegjësinë për sulme ndaj objektivave izraelite. Drejtori i CNRS-së, Chadi Abdallah deklaroi në një konferencë për shtyp se që nga armëpushimi janë konstatuar 5.386 banesa të shkatërruara plotësisht dhe 5.246 të tjera të dëmtuara.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)