Tronditëse në Gjermani, pediatri akuzohet për 130 raste abuzimi ndaj të miturve

Mjeku 45-vjeçar ishte i punësuar në një grup spitalor dhe akuzat ndaj tij lidhen me ngjarje të ndodhura nga dhjetori i vitit 2013 deri në nëntor 2025. Ai ndodhet në paraburgim që prej nëntorit të vitit të kaluar.

13.05.2026. 22:12

Tronditëse në Gjermani, pediatri akuzohet për 130 raste abuzimi ndaj të miturve

Prokuroria e Potsdamit në Gjermani ka ngritur akuza ndaj një pediatri nga rajoni i Brandenburgut për 130 raste të dyshuara të abuzimit seksual dhe përdhunimit të të miturve. Sipas prokurorisë, mjeku dyshohet se shumicën e krimeve i ka kryer gjatë ushtrimit të profesionit të tij, përgjatë një periudhe rreth 12-vjeçare.

Tashmë, Gjykata Rajonale e Potsdamit pritet të shqyrtojë çështjen dhe të vendosë nëse do të nisë procesi gjyqësor. Mjeku 45-vjeçar ishte i punësuar në një grup spitalor dhe akuzat ndaj tij lidhen me ngjarje të ndodhura nga dhjetori i vitit 2013 deri në nëntor 2025. Ai ndodhet në paraburgim që prej nëntorit të vitit të kaluar, pasi nëna e një prej fëmijëve bëri denoncim. Në janar të këtij viti u raportua se mjeku kishte abuzuar seksualisht me një të mitur gjatë kohës që ishte në detyrë në spitalin e Rathenow, në perëndim të Berlinit.

Pas kallëzimit të bërë nga nëna e fëmijës, policia zhvilloi kontrolle dhe sekuestroi pajisje të shumta elektronike për ruajtjen e të dhënave. Prokuroria nisi menjëherë hetime për të verifikuar nëse kishte viktima të tjera. Autoritetet kanë argumentuar se ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, çka ka shërbyer si arsye për mbajtjen e tij në paraburgim.

Nga ana tjetër, grupi spitalor Havelland deklaroi se do të rishikojë procedurat e sigurisë dhe do të hetojë rastin me ndihmën e ekspertëve. Sipas klinikës, gjatë vizitës së fëmijës ishte shkelur parimi i “pranisë së dyfishtë”, i cili kërkon praninë e dy personave gjatë ekzaminimit. Drejtori mjekësor, Mike Lehsnau, u shpreh se akuzat kanë tronditur besimin e pacientëve dhe familjeve të tyre ndaj institucionit shëndetësor.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)