“Me pistoletë në kokë”: Nënë e bijë merren peng, grabitësit arratisen me 3 milionë euro

Autorët kontrolluan të gjithë vilën dhe morën bizhuteri, para dhe çanta firmato, duke realizuar një grabitje me vlerë marramendëse. Hetuesit besojnë se bëhet fjalë për një bandë të mirëorganizuar nga Europa Lindore.

13.05.2026. 22:20

“Me pistoletë në kokë”: Nënë e bijë merren peng, grabitësit arratisen me 3 milionë euro

Një grabitje e dhunshme ka tronditur qytetin bregdetar Forte dei Marmi, në provincën e Luccas në Itali, ku një bandë kriminale mori peng dy gra brenda vilës së tyre dhe u arratis me sende të çmuara, që vlerësohen deri në rreth 3 milionë euro. Sipas hetuesve, autorët dyshohet se janë profesionistë të krimit me origjinë nga Europa Lindore.

Dy viktimat, nënë e bijë, përkatësisht 80 dhe 50 vjeç, me origjinë ruse, u kërcënuan me armë dhe u mbajtën peng brenda banesës së tyre. Ngjarja ndodhi pranë qendrës së qytetit. Sipas rindërtimit të ngjarjes, nëna kishte dalë nga shtëpia për të marrë disa arka me ujë, kur u përball me grabitësit, të cilët e detyruan të hynte sërish në vilë nën kërcënimin e armës.

Me pistoletën te koka, dy gratë u detyruan të hapnin kasafortën. Autorët kontrolluan të gjithë vilën dhe morën bizhuteri, para dhe çanta firmato, duke realizuar një grabitje me vlerë marramendëse. Hetuesit besojnë se bëhet fjalë për një bandë të mirëorganizuar. Katër grabitësit mbanin maska dhe doreza, ndërsa para largimit çmontuan me kujdes edhe memorien e kamerave të sigurisë për të mos lënë gjurmë filmike të sulmit.

Foto ilustruese

Ngjarja konsiderohet pjesë e një vale grabitjesh që po godet Forte dei Marmi gjatë javëve të fundit. Vetëm një javë më parë, një tjetër vilë në zonën e Vittoria Apuana u grabit dhe autorët morën sende me vlerë rreth 2 milionë euro. Një tjetër rast ndodhi gjatë natës në qendër të qytetit, ku një çift u kërcënua nga grabitës të armatosur brenda dhomës së gjumit dhe u detyrua të hapte kasafortën.

Vetëm pesë ditë më parë, dy vila të tjera u grabitën pasi autorët thyen kasafortat me mjete prerëse elektrike. Sipas autoriteteve italiane, të gjitha episodet mund të lidhen me të njëjtën bandë kriminale nga Europa Lindore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)