Shteti që po “mban frymën” për takimin Trump-Xi

Takimi mes Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping po ndiqet me shqetësim të madh nga Tajvani, mes frikës se statusi politik i ishullit dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mund të bëhen pjesë e pazareve diplomatike mes dy fuqive.

Burimi: CNN

13.05.2026. 20:22

Shteti që po “mban frymën” për takimin Trump-Xi

Takimi mes Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping po ndiqet me shqetësim të madh nga Tajvani, mes frikës se statusi politik i ishullit dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mund të bëhen pjesë e pazareve diplomatike mes dy fuqive, shkruan CNN.

Edhe pse zyrtarët tajvanezë kanë deklaruar publikisht se partneriteti me Uashingtonin mbetet i fortë, analistë dhe ish-zyrtarë amerikanë paralajmërojnë se Trump mund të bëjë lëshime ndaj Kinës, veçanërisht nëse kërkon ndihmën e Pekinit për çështje të tjera ndërkombëtare, përfshirë konfliktin me Iranin.

Sipas raportimeve, Trump ka deklaruar se do të diskutojë me Xi Jinping edhe shitjet amerikane të armëve për Tajvanin, një çështje që ka shtuar shqetësimet në Taipei. Presidenti amerikan pranoi se lideri kinez kundërshton furnizimin e Tajvanit me armë amerikane, por tha se kjo do të jetë pjesë e diskutimeve mes tyre.

Aktualisht, administrata amerikane ende nuk ka miratuar zyrtarisht një paketë të re armësh për Tajvanin me vlerë rreth 14 miliardë dollarë. Ndërkohë, një grup senatorësh amerikanë i kanë kërkuar Trump të mos e përdorë mbështetjen për Tajvanin si mjet negocimi me Kinën.

Ministri i Jashtëm tajvanez, Lin Chia-lung, deklaroi se qeveria e tij shpreson që samiti Trump-Xi të mos sjellë “surpriza” për çështjen e Tajvanit. Edhe zëvendësministri i Jashtëm, Francois Wu, pranoi publikisht se frika më e madhe e Tajvanit është që ishulli të vendoset “në tryezën e negociatave” mes dy liderëve.

Nga ana tjetër, Kina vazhdon të insistojë se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe Xi Jinping ka deklaruar vazhdimisht se ribashkimi me ishullin është “i pashmangshëm”. Pekini nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për arritjen e këtij objektivi.

Tensionet janë shtuar edhe për shkak të stërvitjeve të shpeshta ushtarake kineze pranë ishullit, ndërsa Tajvani po rrit shpenzimet për mbrojtjen dhe po përgatitet për çdo skenar të mundshëm.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)