Gjyqi ndaj Laert Haxhiut, Noizy mungon, babai në seancë: Konflikti me Cllevion ishte “xhelozi për muzikë”

Në fokus të seancës së radhës ndaj grupit të Laert Haxhiut ishte dëshmia e Bashkim Rajkut, babait të reperit të njohur shqiptar Noizy, lidhur me shpërthimin me eksploziv në një lokal në pronësi të familjes së tyre në zonën e Currilave në Durrës.

13.05.2026. 14:28

Gjyqi ndaj Laert Haxhiut, Noizy mungon, babai në seancë: Konflikti me Cllevion ishte “xhelozi për muzikë”

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua këtë të mërkurë seanca e radhës ndaj grupit të drejtuar, sipas SPAK, nga Laert Haxhiu. Në fokus të seancës ishte dëshmia e Bashkim Rajkut, babait të reperit të njohur shqiptar Noizy, lidhur me shpërthimin me eksploziv në një lokal në pronësi të familjes së tyre në zonën e Currilave në Durrës.

Në sallën e gjyqit ishte e pranishme edhe motra e reperit, ndërsa vetë Noizy nuk u paraqit për të dëshmuar. Për të do të përsëritet fletëthirrja, ndërsa në seancën e planifikuar më 28 maj pritet të thirren edhe dëshmitarë të tjerë, mes tyre edhe reperi Kleviol Ahmeti, i njohur si Cllevio.

Laert Haxhiu po gjykohet si i dyshuar për drejtimin e një grupi kriminal të strukturuar, i akuzuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, përfshirë vrasje, atentate, grabitje me armë dhe vendosje eksplozivi. Mes 15 episodeve që SPAK i atribuon grupit është edhe sulmi me eksploziv ndaj lokalit në pronësi të Rigels Rajkut dhe babait të tij, ngjarje e ndodhur më 8 qershor 2022.

Për këtë episod, Prokuroria e Posaçme akuzon të penduarin e drejtësisë Artan Tafani, si edhe të pandehurit Lulëzim Spahia dhe Erisiano Abedini.

Gjatë dëshmisë së tij, Bashkim Rajku rrëfeu momentet e natës së shpërthimit, duke deklaruar se familja ndodhej në banesë kur dëgjuan zhurmën e fortë nga kati i parë i pallatit, ku ndodhej lokali.

“Ngjarja ka ndodhur para 4 vitesh në 2022. Unë në ato momente kam qenë në gjumë. Kemi gjetur lokalin të shkatërruar. Banesën e kam në të njëjtin objekt, e kemi dëgjuar zhurmën. Kur ka ndodhur ngjarja ka qenë i mbyllur lokali. Administratorja e dyqanit të rrobave është vajza ime, nuk ka qenë aty. Djali im është muzikant. Kur ka ndodhur ngjarja nuk e mbaj mend ku ka qenë. Djali jeton në banesë tjetër, aty afër, në të njëjtin pallat”, dëshmoi ai.

Rajku tregoi se pasi dëgjoi shpërthimin, zbriti menjëherë poshtë dhe pa dëmet e shkaktuara nga eksplozivi.

“Zbritëm kur dëgjuam zhurmën. Kur zbrita poshtë, nuk e di nëse ka zbritur njeri tjetër. Pashë xhamat e thyer, prishur gjithçka. Lokali 100 metër katror, në kat të parë të pallatit. Roje s’ka pasur. Ne nuk dimë asgjë me çfarë lidhej ngjarja. Nuk e njoh as nuk e di autorin. S’kemi pasur probleme me askënd”, u shpreh ai.

I pyetur nga prokurori për marrëdhënien mes djalit të tij dhe reperit Cllevio, Bashkim Rajku pranoi se kishte pasur mosmarrëveshje të vogla mes tyre, të lidhura me konkurrencën në muzikë, por mohoi të ketë pasur konflikt fizik.

“Djali artist është, ku di gjë unë… Konflikt të madh nuk kemi, por çështje xhelozie… Ka pasur fërkime, çështje xhelozie me djalin tim. Më duket se nga Lushnja është. Për punë muzike, edhe ai është këngëtar. Nuk di të ketë pasur konflikt fizik mes tyre”, deklaroi babai i Noizyt.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)