Qeveria miraton subvencion për transportin urban dhe ndërqytetas, 50 lekë për litër karburanti

Shoqëritë e transportit urban, rrethqytetës dhe ndërqytetës do të përfitojnë mbështetje financiare nga qeveria për përballimin e kostove të karburantit, pas vendimit të ri të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

13.05.2026. 18:38

Vendimi i firmosur nga Edi Rama parashikon një kompensim prej 50 lekësh për çdo litër karburanti të konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026.

Sipas aktit të miratuar, subvencioni do të llogaritet mbi bazën e sasisë së karburantit të përdorur gjatë kësaj periudhe, por jo më shumë se niveli i konsumit të regjistruar në të njëjtët muaj të vitit 2025 për secilin subjekt përfitues.

Efekti financiar i këtij vendimi arrin në rreth 250 milionë lekë. Fondet do të mbulohen nga fondi rezervë i shtetit dhe nga buxheti i Bashkisë Tiranë për linjat e transportit urban të kryeqytetit.

Shoqëritë e transportit do të duhet të paraqesin kërkesë mujore pranë administratës tatimore, duke dorëzuar licencën e vlefshme, të dhënat bankare dhe faturat e furnizimit me karburant për periudhat përkatëse.

Për subjektet që ushtrojnë edhe aktivitete të tjera përveç transportit, do të kërkohet vetëdeklarim për sasinë e karburantit të përdorur vetëm për shërbimin e transportit, si dhe dokumentacion shtesë mbi përdorimin e mjeteve.

Qeveria argumenton se masa synon të mbështesë operatorët e transportit në kushtet e luhatjeve të tregut të hidrokarbureve dhe të ndihmojë në ruajtjen e shërbimit për qytetarët.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)