"S'ka seancë pas orës 22.00", zbardhen propozimet e PD për ndryshimin e rregullores së Kuvendit

Partia Demokratike ka paraqitur një sërë propozimesh për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, që kanë të bëjnë me oraret e seancave, pezullimin e deputetëve dhe kohën e përgjigjes së interpelancave.

13.05.2026. 14:46

"S'ka seancë pas orës 22.00", zbardhen propozimet e PD për ndryshimin e rregullores së Kuvendit

Partia Demokratike ka paraqitur një sërë propozimesh për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, që kanë të bëjnë me oraret e seancave, pezullimin e deputetëve dhe kohën e përgjigjes së interpelancave.

DOKUMENTI

Në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar dy iniciativa të njëanshme për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe nga Kryetari i Kuvendit z. Niko Peleshi. Në parim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është kundër ndryshimeve të njëanshme në Rregulloren e Kuvendit, e cila është akti që garanton bashkëjetesën demokratike ndërmjet palëve politike. Çdo ndryshim në Rregulloren e Kuvendit duhet të jetë produkt i një procesi diskutimesh gjithëpërfshirëse dhe të miratuara në mënyrë konsensuale, siç ka qenë tradita parlamentare nga viti 2004 e në vijim. Rikujtojmë, që në vitin 2013, ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit ishin një prej tre kushteve që kërkoheshin, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimit Evopian, dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike edhe pse i kishte numrat nuk i miratoi këto ndryshime, pa pasur edhe konsensusin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është kundër çdo lloj ndryshimi që synon të kufizojë hapësirat dhe të drejtat e opozitës në Parlament. Në fakt, një pjesë e ndryshimeve të propozuara synojnë ekzaktësisht kufizimin e mëtejshëm të këtyre të drejtave, duke i shndërruar nga një kufizim faktik në një kufizim juridik.

Kështu, propozimet për reduktimin e kohës së diskutimeve nga 10 në 5 minuta, shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar i projektligjeve që synojnë përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian apo heqja e raportimit të drejtuesve të organeve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj në komisionet e përhershme parlamentare dhe në seancën plenare, janë përpjekje të qarta për të minuar funksionimin demokratik të Parlamenit, për të asgjësuar rolin e opozitës në Parlament dhe për ta shndërruar Parlamentin në një institucion monopartiak, sic në fakt janë aktualisht shumica e institucioneve në Shqipëri. Pushteti vetërregullues i Kuvendit nuk duhet të bëhet premisë që të drejtat e deputetëve të cenohen në atë masë që do të çonte drejtpërdrejt në cenimin e parimit të demokracisë përfaqësuese.

Mirëpo, gjatë diskutimeve në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në mbledhjen e datës 11 Maj 2026, të gjithë anëtarët e tij, njohën faktin se sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, “në kushtet kur shumica parlamentare e ka numrin e nevojshëm të deputetëve për miratimin e aktit, ajo duhet të dëshmojë vullnet për një kujdes të shtuar dhe frymë bashkëpunimi për të siguruar që pakica parlamentare të luajë një rol aktiv në procesin e shqyrtimit të projektaktit, duke ushtruar të drejtën e debatit për përmbajtjen dhe procedurën e tij, si dhe duke gëzuar mundësinë e propozimit të amendamenteve kur kjo shihet e arsyeshme, duke synuar që ndryshimet mundësisht të bëhen me vullnet të përbashkët dhe konsensual.”. Në përmbushje të këtij standardi kushtetues, opozita po përmbush rolin e saj, duke shpresuar se mazhoranca gjithashtu do të luaj një rol konstruktiv, me qëllimin final të hartimit të ndryshimeve konsensuale në Rregulloren e Kuvendit.

Për këtë qëllim, bashkëlidhur do të gjeni:

1) Aneksin 1 Komente mbi ndryshimet e propozuara nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, sëbashku me Amendamentet e propozuara nga ana jonë në lidhje me këto ndryshime.

2) Aneksin 2 – Komente mbi ndryshimet e propozuara nga Kryetari i Kuvendit z. Niko Peleshi, sëbashku me Amendamentet e propozuara nga ana jonë në lidhje me këto ndryshime.

Gjithashtu, në mbështetje të nenit 117 të Rregullores së Kuvendit, bashkëlidhur do të gjeni disa propozime për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, të propozuara nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Ne mbetemi të angazhuar për të luajtur rolin tonë konstruktiv në këtë proces të rëndësishëm parlamentar, duke shpresuar që mazhoranca do të heq dorë nga imponimi i rregullave të njëanshme dhe ndryshimeve pa konsensus në Rregulloren e  Kuvendit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)