Drejt finalizimit zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës, zbulohet kur hapen 6 km e para

Punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë–Durrës janë drejt përfundimit për segmentin e parë prej 6 kilometrash, i cili pritet të hapet për qarkullimin e mjeteve në fillim të muajit maj.

09.04.2026. 16:58

Drejt finalizimit zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës, zbulohet kur hapen 6 km e para

Punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë–Durrës janë drejt përfundimit për segmentin e parë prej 6 kilometrash, i cili pritet të hapet për qarkullimin e mjeteve në fillim të muajit maj.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e ARRSH, Ami Kozeli, inspektuan sot nga afër ecurinë e punimeve në këtë aks rrugor, duke theksuar rëndësinë e këtij segmenti për qarkullimin në vend.

Ministri Karakaçi shpjegoi pse nuk u mbajt premtimi për hapjen e Lotit 1 në muajin dhjetor, duke vendosur theksin tek sfidat e motit.

“Gjendemi në aksin Tiranë-Durrës. Në fakt është edhe aksi më i ngarkuar përsa i përket trafikut në të gjithë Shqipërinë. Kemi hyrjen në Tiranë, hyrjen nga pjesa e Aeroportit të Rinasit edhe lidhjen me qytetin e Durrësit. Ky segment është një segment i rëndësishëm. Ne gjendemi këtu në punimet që po kryhen në 6 kilometrat e para të këtij segmenti. Patjetër kemi patur operacion të vështirë për zbatimin e tij, sepse jemi përpjekur që të mos pengojnë qarkullimin e mjeteve. Dëshira jonë ka qenë që ta përfundonim brenda dhjetorit këtë vepër. Dhe në fakt deri në vjeshtë punimet kishin ecur me ritme shumë të mira. Por më pas u hasëm me një dimër shumë të lagësht. Në kontratë jemi brenda kushteve të kontratës, sepse e kemi brenda muajit korrik dorëzimin e këtij aksi”, u shpreh ministri.

Nga ana e tij, kreu i ARRSH, bëri të ditur se punimet ndodhen në fazën përfundimtare dhe se përgatitjet për hapjen e segmentit janë drejt fundit.

“Ministër, ne jemi në fazën finale. Ne po përgatitemi për hapje, ashtu siç edhe ju keni lënë porosi që brenda fillimit të muajit të ardhshëm ne të jemi gati për hapje. Konkretisht jemi në lotin 1 ku po vijon asfaltimi. Qytetarët kishin pritshmëri që ne ta hapnim brenda dhjetorit, por për një sërë arsyesh, por kryesisht për faktin e ngarkesës së jashtëzakonshme që ka ky aks, ka pasur vonesa. Kjo është një rrugë që do të ketë 3+1 korsi”, tha ai.

Sipas projektit, autostrada Tiranë–Durrës do të zgjerohet në një profil 3+1 korsi, me tre korsi për qarkullimin normal dhe një korsi emergjence, duke synuar përmirësimin e ndjeshëm të trafikut në aksin më të ngarkuar rrugor në vend.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)