Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar këtë të shtunë ndryshimet në statutin e partisë, një paketë reformash që synon modernizimin e strukturave, forcimin e demokracisë së brendshme dhe rritjen e përfaqësimit të anëtarësisë në vendimmarrje.
Në momentin e votimit, nga 1.564 delegatë me të drejtë vote, në sallë ishin të pranishëm 1.464 delegatë. Ndryshimet u miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Një nga dispozitat që mbetet e pandryshuar është i ashtuquajturi “neni Basha”, i cili parashikon se kryetari i partisë duhet të japë dorëheqjen në rast humbjeje në zgjedhje.
Risia më e rëndësishme e statutit të ri është krijimi i një komisioni të posaçëm që do të shqyrtojë dhe filtrojë kandidaturat për deputetë dhe kryetarë bashkish përpara se ato të kalojnë në procesin e primareve. Kjo do të thotë se në garën e primareve nuk do të marrin pjesë automatikisht të gjithë kandidatët, por vetëm ata që kalojnë verifikimin paraprak të këtij komisioni.
Gjatë prezantimit të ndryshimeve, drejtuesit e PD-së theksuan se statuti i ri synon të ruajë dhe forcojë rolin e anëtarësisë në jetën e partisë.
“Në tërësi, grupi i punës vlerësoi se statuti i punës garanton funksionimin demokratik, respekton standardet e partisë me ato simotra të Evropës, se pushteti në PD i përket anëtarëve të saj dhe jo strukturave. Ky parim duhet ruajtur, duke e bërë PD të vetmen forcë ku anëtari nuk është periferik dhe vullneti i tij përcakton shumëçka”, u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me përfaqësimin e diasporës. Statuti parashikon që shqiptarët jashtë vendit të kenë përfaqësim të dedikuar deri në 15% në organet drejtuese të partisë, përfshirë Kuvendin Kombëtar, Këshillin e Kuvendit dhe listat e kandidatëve për zgjedhje.
“Është propozuar që diaspora të ketë përfaqësim të dedikuar deri në 15% në të gjitha organet drejtuese, përfshirë Kuvendin, Këshillin e Kuvendit dhe 15% në listat e kandidatëve”, deklaroi Bardhi.
Ndryshimet statutore parashikojnë gjithashtu forcimin e rolit të grave dhe vajzave në strukturat e Partisë Demokratike, përmes rritjes së kuotave të përfaqësimit.
“Është fuqizuar roli i grave dhe vajzave në PD. Forca e parë politike që rrit kuotën e përfaqësimit të grave. Është përmirësuar organizimi bazë i partisë. Është forcuar raporti mes degëve të partisë dhe të zgjedhurve vendorë”, tha më tej Bardhi.
Sipas drejtuesve demokratë, ndryshimet e miratuara synojnë ta bëjnë partinë më të hapur, më përfaqësuese dhe më të lidhur me anëtarësinë në çdo nivel, duke përafruar funksionimin e saj me standardet e partive të qendrës së djathtë në Evropë.
PIKAT E NDRYSHUARA NE STATUT:
1. Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi real politik i saj. 15% në lista dhe në organet e partisë duhet të jenë përfaqësues nga Diaspora.
2. Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në Parti, duke e rritur përfaqësimin e tyre nga 30 % në 40%.
3. Ngritjen e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve.
4. Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.
5. Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendor (këshilltarëve bashkiak).
6. Njohja e një statusi të barabratë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH.
7. Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.
8. Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)