Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja të karburanteve në Shqipëri, të cilat hyjnë në fuqi sot duke nisur nga ora 13:00. Sipas vendimit të fundit, çmimi i naftës është ulur me 2 lekë për litër, ndërsa benzina është reduktuar me 1 lek për litër krahasuar me vendimin e mëparshëm.
Nga sot, gazoili i standardit SSH EN 590 do të tregtohet me një çmim maksimal prej 185 lekësh për litër në shitje me pakicë, ndërsa në tregun me shumicë nuk do të mund të shitet mbi 173 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën është vendosur një tavan prej 173 lekësh për litër në shitje me pakicë dhe 161 lekë për litër në shitje me shumicë.
Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së radhës së Bordit të Transparencës, i cili përcakton kufijtë maksimalë të çmimeve për nënproduktet e naftës në vend.
Çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në vendimmarrjen e ardhshme të Bordit, kur mund të ketë rishikime të tjera në varësi të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare dhe vendase.
Autoritetet kanë kërkuar nga të gjithë operatorët e tregut të karburanteve zbatimin e plotë të vendimit, duke paralajmëruar se shkeljet do të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi, deri në pezullimin e aktivitetit për subjektet që nuk respektojnë çmimet e përcaktuara.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)