Fundjava sjell fluks në Morinë, pushuesit nga Kosova dynden drejt bregdetit shqiptar

Sipas të dhënave të Policisë Kufitare, vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në territorin shqiptar mbi 26 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj.

30.05.2026. 10:37

Fundjava sjell fluks në Morinë, pushuesit nga Kosova dynden drejt bregdetit shqiptar

Me nisjen e fundjavës dhe temperaturat në rritje, pika kufitare e Morinës është përballur me një fluks të shtuar automjetesh dhe udhëtarësh që hyjnë në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre janë qytetarë nga Kosova, të cilët kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për të kaluar ditët e pushimit.

Sipas qytetarëve, moti i favorshëm, afërsia gjeografike dhe çmimet e përballueshme vijojnë ta bëjnë bregdetin shqiptar një nga destinacionet më të preferuara për fundjavat verore.

“Koha është shumë e mirë dhe deti është alternativa më e mirë për të kaluar fundjavën me familjen. Edhe çmimet janë të arsyeshme”, shprehen disa prej udhëtarëve në pikën kufitare.

Lëvizja e shtuar është lehtësuar edhe nga procedurat e reja të kalimit kufitar. Që prej datës 1 maj, Shqipëria dhe Kosova kanë nisur zbatimin e procedurave të thjeshtuara në pikat e përbashkëta kufitare, duke mundësuar kalimin pa kontrolle për automjetet me targa të dy vendeve dhe duke reduktuar ndjeshëm kohën e pritjes.

Sipas të dhënave të Policisë Kufitare, vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në territorin shqiptar mbi 26 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Autoritetet presin që fluksi të mbetet i lartë gjatë gjithë fundjavës, veçanërisht në akset që lidhin Kosovën me zonat turistike të bregdetit shqiptar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)