Terapia hormonale për të miturit në QSUT, KMSH: Vendim i nxituar dhe i rrezikshëm

Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, KMSH shpreh shqetësim të thellë për pjesën e udhëzimit ku parashikohet që terapia hormonale mund të nisë nga mosha 16 vjeç dhe, në raste të veçanta, edhe nga mosha 14 vjeç.

29.05.2026. 21:23

Terapia hormonale për të miturit në QSUT, KMSH: Vendim i nxituar dhe i rrezikshëm

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar publikisht kundër udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë që hap rrugën për ofrimin e terapisë hormonale për personat transgjinorë në QSUT, duke e konsideruar vendimin të nxituar dhe me ndikim të thellë në jetën e të miturve.

Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, KMSH shpreh shqetësim të thellë për pjesën e udhëzimit ku parashikohet që terapia hormonale mund të nisë nga mosha 16 vjeç dhe, në raste të veçanta, edhe nga mosha 14 vjeç.

Sipas Komunitetit Mysliman, çështje të tilla kërkojnë debat të gjerë publik dhe trajtim me përgjegjësi të lartë institucionale, pasi prekin zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik të fëmijëve dhe adoleshentëve.

“Ne besojmë se të miturit nuk duhet të vendosen përballë proceseve me pasoja të thella dhe afatgjata për jetën e tyre, në një periudhë kur personaliteti dhe identiteti i tyre janë ende në formim”, thuhet në reagim.

KMSH kundërshton çdo qasje që, sipas saj, “hap rrugë për ndërhyrje hormonale në mosha të tilla”, ndërsa thekson se fëmijët kanë nevojë për “mbrojtje, orientim, mbështetje familjare dhe kujdes profesional të përgjegjshëm”.

Në deklaratë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shprehet gjithashtu se shoqëria shqiptare “nuk duhet të normalizojë praktika që krijojnë paqartësi dhe tension social në raport me natyrën njerëzore, familjen dhe edukimin e brezave të rinj”.

Në fund të reagimit, KMSH u bën thirrje institucioneve shtetërore, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe aktorëve të tjerë shoqërorë që tema të tilla të trajtohen “me maturi, dialog të gjerë dhe përgjegjësi kombëtare”, dhe jo “nën ndikimin e trendeve ideologjike të përkohshme”.

Ky reagim vjen pasi Ministria e Shëndetësisë publikoi udhëzimin që parashikon realizimin e terapisë hormonale për personat transgjinorë në shërbimin publik shëndetësor shqiptar, për herë të parë në QSUT.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)