Një investim që dukej si mundësia perfekte përfundoi në një mashtrim të sofistikuar financiar për një shtetas suedez që jeton në Shtetet e Bashkuara. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Varese-s, në Itali, ku një burrë vendas dyshohet se i ka shitur viktimës një vilë luksoze që në realitet nuk ishte kurrë në dispozicion për shitje.
Sipas hetimeve, i dyshuari i prezantoi suedezit një ofertë “ekskluzive”, një vilë e sekuestruar nga autoritetet dhe e nxjerrë në ankand me çmim shumë më të ulët se vlera reale. Për ta bindur investitorin, ai përdori dokumente të falsifikuara, përfshirë akte gjyqësore dhe të dhëna bankare që dukeshin autentike.
I bindur se po realizonte një investim fitimprurës, suedezi transferoi gjithsej 1.3 milion euro në tre këste të ndryshme. Por menjëherë pas pagesave, paratë u shpërndanë në shumë llogari përmes transfertave të vogla, duke e bërë të vështirë gjurmimin e tyre.
Dyshimet nisën kur personi që prezantohej si ekspert i pasurive të paluajtshme ndërpreu çdo komunikim pas marrjes së shumës. Viktima iu drejtua Prokurorisë së Milanos, e cila nisi menjëherë hetimet.
Me urdhër të gjykatësit hetues, autoritetet sekuestruan tre llogari bankare ku ndodheshin një pjesë e parave të mbetura. Ndërkohë, i dyshuari po hetohet për mashtrim të rëndë, falsifikim dokumentesh dhe vetë-pastrim parash.
Rasti ka rikthyer në kujtesë historinë e famshme komike të Totò-së me “shitjen” e Shatërvanit të Trevit, por kësaj here pasojat financiare janë shumë reale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)