"PD kultivoi urrejtje dhe përçarje", Rama në Dibër: PS, e vetmja forcë europianizuese e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me socialistët e Dibrës në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të PS-së. Në fjalën e tij, Rama sulmoi ashpër PD-në, duke e akuzuar për gjuhë urrejtjeje dhe përçarjeje, ndërsa theksoi se PS ka ndërtuar identitetin e saj mbi tolerancën dhe orientimin europian.

29.05.2026. 19:06

"PD kultivoi urrejtje dhe përçarje", Rama në Dibër: PS, e vetmja forcë europianizuese e Shqipërisë

Në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi një takim masiv me socialistët e qarkut Dibër, ku mbajti një fjalim të gjatë politik, të mbushur me sulme ndaj Partisë Demokratike, reflektime mbi historinë e PS-së dhe mesazhe për drejtësinë dhe integrimin europian të vendit.

Në nisje të fjalës së tij, Rama rikujtoi me humor batutat e përdorura gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, duke u ndalur tek reagimet që, sipas tij, prodhuan ato deklarata në opinionin publik.

“Unë nuk e kisha pritur që faktikisht të gjithë çyrykët do të provokoheshin dhe do të hidheshin përpjetë dhe do të thonin ‘nuk jemi çyrykë, po burra’, dhe të gjithë burrat shkuan pas grave dhe do ta nxirrnin nga kutitë e votimit fitoren më të madhe ndonjëherë për PS. Ai ka qenë një moment tjetër i daljes në pah të mençurisë së kësaj zone”, deklaroi Rama.

Gjatë takimit me socialistët dibranë, kryesocialisti u ndal gjerësisht tek përplasjet historike me Partinë Demokratike, duke akuzuar kundërshtarët politikë për gjuhë urrejtjeje dhe përçarjeje ndër vite.

“PS e ka katalizuar fryma e tolerancës dhe e njerëzillëkut, ndërsa ata që kemi pasur përballë kanë qenë mishërimi i përçmimit dhe i urrejtjes. Një dasi dhe përçarje që u shtri deri në fshatin më të largët, ku komshiu ndahej me komshiun për shkak të partisë”, tha Rama.

Ai solli në vëmendje edhe sulmet personale ndaj tij dhe ish-kryeministrit Fatos Nano, duke theksuar se socialistët nuk janë përgjigjur me të njëjtën gjuhë ndaj kundërshtarëve.

“Kërkoni dhe shikoni çfarë i kanë thënë Fatos Nanos. Nuk i kanë lënë njeri pa prekur me baltë. Merrni edhe historinë time, një histori ku ka pasur edhe gjak. Shikoni sesa shumë është thënë për familjen time. Nuk do të gjeni dot që unë t’u jem kthyer me të njëjtën mënyrë. Jo sepse ne jemi më të butë, por sepse ne jemi qytetarët e Europës në shpirt dhe europianë në mendje”, u shpreh ai.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, Rama ia kushtoi edhe reformës në drejtësi dhe raportit të PS-së me institucionet e drejtësisë, duke deklaruar se socialistët kanë pranuar “me vetëdije” kostot politike të kësaj reforme.

“PS nuk kërkoi revansh, por shtet të së drejtës. Kur u rikthyem në pushtet, lideri ynë historik doli nga burgu, ku ishte futur politikisht. Por askush nuk kërkoi hakmarrje. Përkundrazi, nisëm rrugën më të vështirë: krijimin e kushteve që burgosjet politike të mos përsëriteshin më kurrë në Shqipëri”, deklaroi Rama.

Sipas tij, Partia Socialiste mbetet e vetmja forcë politike që ka garantuar orientimin europian të vendit dhe që ka vendosur interesin kombëtar mbi interesat partiake.

“PS ka provuar më shumë se një herë se është e vetmja forcë politike me një marrëdhënie kristaline me interesin kombëtar. Ishte pikërisht PS dhe qeveritë socialiste që qëndruan në anën e duhur të historisë edhe në periudhat më të vështira për Kosovën”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij, Rama theksoi se reforma në drejtësi dhe ndarja e pushteteve janë sfida historike që, sipas tij, vetëm Partia Socialiste ka guxuar t’i ndërmarrë.

“Kur një pushtet pranon të goditet nga një pushtet tjetër si ai i drejtësisë, atëherë rruga e barazisë para ligjit është e sigurt. Ne po e bëjmë demokracinë të funksionojë, pavarësisht kostove dhe vështirësive”, përfundoi kryeministri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)