Pavarësisht sinjaleve për përparim në negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit ende duket larg finalizimit. Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që nuk përmbush kushtet e vendosura nga Uashingtoni, ndërsa Teherani këmbëngul se ende nuk është arritur një akord përfundimtar.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, Trump do të nënshkruajë një marrëveshje vetëm nëse ajo përmbush të gjitha “vijat e kuqe” të administratës amerikane. Kushti kryesor mbetet që Irani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore, shkruan Newsmax.
Presidenti amerikan zhvilloi një takim dyorësh në “Situation Room” të Shtëpisë së Bardhë, ku u diskutua mbi ecurinë e negociatave. Megjithatë, pas përfundimit të mbledhjes nuk u njoftua asnjë vendim përfundimtar, ndërsa zyrtarët amerikanë pranuan se disa çështje kyçe vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë kundërshtuar disa prej deklaratave të Trump. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, deklaroi se Republika Islamike nuk pranon ultimatumet dhe se “nuk është arritur ende asnjë marrëveshje përfundimtare”. Ai shtoi se shkëmbimet diplomatike vazhdojnë, por negociatat mbeten të hapura.
Një nga pikat më të debatueshme lidhet me Ngushticën e Hormuzit. Trump ka deklaruar se Irani do të heqë minat detare dhe do të lejojë kalimin e lirë të anijeve pa tarifa, ndërsa SHBA do të heqë bllokadën ndaj porteve iraniane. Megjithatë, burime iraniane të cituara nga agjencia Fars kanë mohuar ekzistencën e një klauzole të tillë në draft-marrëveshje. Sipas tyre, Teherani kërkon lirimin e menjëhershëm të 12 miliardë dollarëve asete të ngrira para se të ecet drejt fazave të tjera të procesit.
Ndërkohë, tensionet mbeten të larta edhe në rajon. Në frontin e Libanit, luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut vazhdojnë, pavarësisht armëpushimit të shpallur më herët. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se trupat izraelite kanë avancuar më thellë në territorin libanez, ndërsa Hezbollahu njoftoi sulme të reja me dronë ndaj objektivave ushtarake izraelite.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)