SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të akuzuar për lidhje me grupe të strukturuara kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve.
Të pandehurit janë Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj. Dy të parët akuzohen për pjesëmarrje në grup kriminal, shpërdorim detyre dhe përfshirje në aktivitet narkotikësh, ndërsa Alisinaj akuzohet për shpërdorim detyre.
Sipas hetimeve, gjatë viteve 2019-2021 në zonën e Sarandës ka operuar një grup kriminal që merrej me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit drejt Greqisë. SPAK ka dokumentuar një rast trafikimi në pikën kufitare të Qafë Botës, ku u sekuestruan mbi 1.1 ton kanabis dhe nënprodukte të tij, me vlerë rreth 1.7 milion euro.
Hetimet zbuluan se grupi kishte krijuar lidhje me efektivë policie për të siguruar informacion dhe mbështetje për aktivitetin kriminal. Sipas dosjes, Hazizaj, asokohe specialist në Forcën Operacionale, dyshohet se informonte drejtuesit e grupit për lëvizjet dhe veprimet policore.
Ndërkohë, Ruska akuzohet se ndihmonte një tjetër grup kriminal në zonën Tepelenë-Gjirokastër, ku u zbuluan dhe sekuestruan mbi 1300 bimë narkotike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)