Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Zonat”, në kuadër të përpjekjeve për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.
Si rezultat i kontrolleve intensive dhe veprimeve hetimore të kryera në terren, uniformat blu kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Ksainel Caka, 37 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, ai u kap në rrugën “Skënderbej”, ndërsa dyshohet se furnizonte persona të tjerë me lëndë narkotike të llojit kokainë, e cila më pas shpërndahej në doza të vogla në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan mbi 200 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila u mor në cilësinë e provës materiale.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 37-vjeçari ushtronte aktivitet të vazhdueshëm në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në disa zona të Tiranës. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Komente (0)