Hapet qendra e parë për çaktivizimin e armëve në Shqipëri, Hita: Mbrojmë jetën e qytetarëve

Sipas Skënder Hitës, projekti është rezultat i një bashkëpunimi më shumë se katërvjeçar me OSBE-në dhe partnerët ndërkombëtarë, duke sjellë standarde të reja në procesin e çaktivizimit të armëve dhe duke afruar Shqipërinë me praktikat e Bashkimit Europian.

30.05.2026. 12:42

Hapet qendra e parë për çaktivizimin e armëve në Shqipëri, Hita: Mbrojmë jetën e qytetarëve

Policia e Shtetit ka marrë në administrim Qendrën e parë të Çaktivizimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta në Shqipëri, një investim i realizuar në bashkëpunim me OSBE-në dhe partnerë ndërkombëtarë, që synon forcimin e sigurisë publike dhe parandalimin e përhapjes së armëve të paligjshme.

Në ceremoninë e inaugurimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, e cilësoi ngritjen e kësaj qendre si një moment të rëndësishëm për sigurinë në vend dhe për mbrojtjen e qytetarëve.

“Sot është një moment i rëndësishëm për Policinë e Shtetit dhe për të gjitha institucionet që kontribuojnë në sigurinë, stabilitetin dhe luftën kundër përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla e të lehta. Por, mbi të gjitha, ky moment lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e fëmijëve tanë, që janë e ardhmja e këtij vendi”, deklaroi Hita.

Sipas tij, projekti është rezultat i një bashkëpunimi më shumë se katërvjeçar me OSBE-në dhe partnerët ndërkombëtarë, duke sjellë standarde të reja në procesin e çaktivizimit të armëve dhe duke afruar Shqipërinë me praktikat e Bashkimit Europian.

“Ky investim përfaqëson një hap konkret në përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në luftën tonë pa kompromis kundër krimit të organizuar”, u shpreh kreu i Policisë së Shtetit.

Hita theksoi se projekti ka mundësuar forcimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, zhvillimin e trajnimeve të specializuara, sigurimin e infrastrukturës moderne dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve shqiptare për monitorimin e procesit të çaktivizimit të armëve sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë.

Përveç kësaj, ai nënvizoi se mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë ka ndikuar edhe në rritjen e kapaciteteve të njësive K9 të Policisë së Shtetit, përmes pajisjeve të reja trajnuese, përmirësimit të kushteve të strehimit të qenve të policisë dhe ngritjes së një klinike veterinare moderne, inaugurimi i së cilës pritet të realizohet së shpejti.

Duke folur për rezultatet e luftës kundër armëmbajtjes pa leje, Hita bëri të ditur se strukturat e Policisë së Shtetit sekuestrojnë çdo vit qindra armë dhe municione.

“Strukturat tona sekuestrojnë çdo vit mesatarisht 650 deri në 700 armë të vogla e të lehta, si dhe sasi të konsiderueshme municionesh, duke çuar përpara drejtësisë personat që i posedojnë ato në mënyrë të paligjshme”, tha ai.

Sipas Drejtorit tëPolicisë, krahas operacioneve policore, vijojnë edhe fushatat sensibilizuese në komunitet dhe në shkolla për ndërgjegjësimin e të rinjve mbi rreziqet që sjell posedimi i armëve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)