“Jemi si nata me ditën me PD”, Rama nga Lezha: Flamurin e Skënderbeut do e ngremë në oborrin e BE

Në 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Lezhë, kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa akuzoi kundërshtarët politikë për dhunë ndaj socialistëve në vitet ’90 dhe theksoi angazhimin për luftën kundër korrupsionit.

30.05.2026. 13:45

“Jemi si nata me ditën me PD”, Rama nga Lezha: Flamurin e Skënderbeut do e ngremë në oborrin e BE

Kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Lezhë për të përcjellë mesazhe të forta politike mbi integrimin europian të Shqipërisë, luftën kundër korrupsionit dhe raportin e socialistëve me kundërshtarët politikë ndër vite.

Në fjalën e tij, Rama e vendosi theksin te objektivi strategjik i anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke deklaruar se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë realizimit të kësaj aspirate historike.

“Do të vendosim flamurin e Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit në oborrin e shtëpisë europiane. Ne nuk i ndajmë njerëzit në të tanët dhe të atyre. Me rëndësi është të çojmë përpara projektin e transformimit të Shqipërisë dhe të afrohemi çdo ditë e më shumë me familjen europiane”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi edhe periudhat e vështira që, sipas tij, kanë kaluar socialistët gjatë viteve të para të pluralizmit, duke akuzuar kundërshtarët politikë për dhunë dhe diskriminim politik.

“Socialistët janë trajtuar si armiq. Nuk kishin asnjë mundësi të kishin kushte të barabarta konkurrence. Kishte vetëm një ekran ku gëlonte propaganda kundër Partisë Socialiste. Figura e përfaqësuesve tanë mbulohej me komente denigruese dhe me shkop gome u rrahën e u masakruan përfaqësues të partisë sonë. Sot kjo është e paimagjinueshme për të rinjtë dhe të rejat që nuk e kanë jetuar atë kohë”, deklaroi ai.

Duke folur për bilancin e qeverisjes socialiste, Rama tha se Partia Socialiste ka luajtur rol vendimtar në transformimin e vendit dhe në përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë.

“Ne nuk jemi të rënë nga qielli, por kur vjen puna te pamja e madhe, ajo flet vetë. Flet raporti me shoqërinë dhe me votën. Është Partia Socialiste që ia ka ngritur kokën çdo shqiptari. E ka bërë Shqipërinë nga delja e zezë e Europës në një vend që sot është më afër se kurrë realizimit të ëndrrës historike të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ndjehuni krenarë për këtë parti dhe për këtë familje të madhe politike”, u shpreh kryeministri.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua luftës kundër korrupsionit dhe reformës në drejtësi. Rama tha se mazhoranca ka marrë përsipër edhe kostot politike të këtij procesi.

“Jemi të vendosur të luftojmë korrupsionin dhe të marrim përsipër edhe koston e kësaj beteje, duke ia lënë shpatën njerëzve të drejtësisë. Ky është një angazhim që nuk e kemi bërë për interes politik, por për interesin e Shqipërisë dhe të së ardhmes së saj europiane”, deklaroi ai.

Rama sulmoi gjithashtu opozitën, duke theksuar se dallimi mes Partisë Socialiste dhe kundërshtarëve të saj është i qartë në raport me interesin kombëtar dhe ngjarjet historike të rajonit.

“Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që në këto 35 vite nuk ka lëvizur asnjë milimetër nga vija e drejtë e mbrojtjes së interesit kombëtar. Ata që na sulmonin si të lidhur me Beogradin, natën thyenin embargon e Millosheviçit dhe furnizonin me naftë makinën e spastrimit etnik. Ndërsa Partia Socialiste, që nga dita e parë e qeverisjes, u bë mbështetja më e fortë dhe më e palëkundur e UÇK-së dhe e çështjes së Kosovës”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu qëndrimin e socialistëve ndaj historisë së vendit, duke theksuar se PS ka ruajtur një qasje të balancuar mes të shkuarës dhe të ardhmes.

“Partia Socialiste mbeti e vetmja forcë që diti të ruajë me të shkuarën një marrëdhënie dinjiteti kombëtar dhe vërtetësie historike. Nuk lejoi të përdhosej Lufta Nacionalçlirimtare, por ua la turpin atyre që e përdorën dhe vazhdojnë ta përdorin historinë si burim përçarjeje mes shqiptarëve”, përfundoi Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)