Partia Demokratike çeli punimet e Kuvendit Kombëtar me një element të pazakontë, duke vendosur në qendër të vëmendjes një avatar të krijuar me Inteligjencë Artificiale, i konceptuar me pamjen e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Prezantimi u shfrytëzua si një formë ironie dhe kritike ndaj qeverisë, ndërsa delegatët u mblodhën për të nisur procedurat e forumit më të lartë vendimmarrës të partisë.
Para fillimit të punimeve, në selinë blu mbërriti edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndërsa delegatët pritet të votojnë për përbërjen e Komisionit të Drejtimit të Punimeve dhe Sekretariatin Teknik.
Gjithçka nisi me shfaqjen e një videoje ku një avatar i Skënderbeut iu drejtua të pranishmëve me një mesazh të ngarkuar me referenca politike.
“Unë jam Skënderbeu. Jo Skënderbeu i Elisës, para se Elisa të inatosej me Skënderbeun e saj, as Skënderbeu i kullës së Edit në mes të Tiranës. Jam Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, europeisti i parë i këtyre trojeve. Në fakt, jam një avatar i krijuar nga Departamenti AI i Partisë Demokratike. Ndryshe nga avatari i Ramës, Diella, që ka kushtuar milion euro, unë kam kushtuar vetëm 100 euro”, tha avatari.
Përmes këtij prezantimi, Partia Demokratike synoi të godasë politikisht qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke bërë krahasime të drejtpërdrejta me ministren me inteligjencë artificiale, “Diella”, e bërë pjesë e kabinetit qeveritar pas fitores së mandatit të katërt.
Sipas mesazhit të transmetuar, figura digjitale e Skënderbeut u paraqit si një simbol i identitetit kombëtar dhe i vlerave europiane, ndërsa u theksua se bëhej fjalë për një projekt të realizuar nga Departamenti i Inteligjencës Artificiale i Partisë Demokratike.
Gjatë deklaratës së tij, avatari artikuloi edhe kritika ndaj qeverisë për mënyrën e administrimit të fondeve publike dhe kostot e projekteve shtetërore, duke e përdorur krahasimin me “Diellën” si pjesë të mesazhit politik të opozitës.
Mesazhi u mbyll me një thirrje drejtuar demokratëve dhe delegatëve të Kuvendit Kombëtar, duke e cilësuar mbledhjen si një moment reflektimi dhe angazhimi politik për të ardhmen e Partisë Demokratike.
“Ky Kuvend le të jetë një besëlidhje për ripërtëritje dhe anti-vjedhje”, ishte mesazhi përmbyllës i avatarit të krijuar me Inteligjencë Artificiale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)