Përleshje fizike në Skënderaj, VV akuzon Sami Lushtakun për sulm me gotë ndaj kryetarit të degës

Vetëvendosje pretendon se Hysni Mehani ndodhej në kafenenë “Solo” së bashku me deputeten Arjeta Fejza dhe disa aktivistë të partisë, kur fillimisht është goditur me grusht dhe më pas me gotë në kokë. Në anën tjetër, Sami Lushtaku e mohoi versionin e Vetëvendosjes dhe pretendoi se ai u provokua.

14.05.2026. 14:45

Përleshje fizike në Skënderaj, VV akuzon Sami Lushtakun për sulm me gotë ndaj kryetarit të degës

Një incident i rëndë që dyshohet të ketë prapavijë politike ka ndohur në Skënderaj këtë të enjte.

Një përplasje fizike mes përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të komunës, Sami Lushtaku, ka prodhuar akuza të forta nga të dyja palët. Ngjarja ndodhi në një kafene në qendër të qytetit dhe përfundoi me pretendime për dhunë, provokime politike dhe ndërhyrje të shoqëruesve.

Hysni Mehani, kryetar i VV-së në Skënderaj dhe zëvendësministër i Financave, deklaroi se është sulmuar fizikisht nga kreu i komunës Sami Lushtaku dhe personat që e shoqëronin atë. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Mehani tha se gjatë incidentit i është marrë edhe telefoni personal.

“Të dashur miq, jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus Policinë të mbrojë familjen time dhe ftoj familjarët për përmbajtje”, shkroi ai.

Pas reagimit të Mehanit, edhe Lëvizja Vetëvendosje publikoi një fotografi ku ai shfaqet i lënduar dhe me gjak në fytyrë, duke e cilësuar ngjarjen si një “sulm brutal dhe banditesk”.

Sipas versionit të VV-së, Mehani ndodhej në kafenenë “Solo” së bashku me deputeten Arjeta Fejza dhe disa aktivistë të partisë, kur fillimisht është goditur me grusht dhe më pas me gotë në kokë.

Partia e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti pretendon se gjatë përplasjes është sulmuar edhe sekretari i degës së VV-së në Skënderaj, Bahri Zabeli, teksa tentonte të ndalte eskalimin e situatës.

“Fillimisht, Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Pas përpjekjes së Sekretarit të Qendrës, Bahri Zabeli, për të parandaluar përshkallëzimin, ai është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut”, thuhet në reagimin e VV-së.

VV kërkon reagim urgjent nga organet e drejtësisë dhe distancim të Partisë Demokratike të Kosovës nga ngjarja.

Në anën tjetër, Sami Lushtaku e mohoi versionin e Vetëvendosjes dhe pretendoi se vetë ai ishte objektiv i një provokimi politik të organizuar nga pushteti qendror. “Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skënderaj”, deklaroi Lushtaku.

Ai reagoi edhe ndaj etiketimeve politike që, sipas tij, janë përdorur vazhdimisht kundër tij.

“E kam një jetë në shërbim të vendit, kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan”, shtoi ai.

Deri tani, Policia e Kosovës nuk ka dhënë një version zyrtar për incidentin, ndërsa në rrjetet sociale po qarkullojnë video të ndryshme që pretendohet se tregojnë momentet e konfliktit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)