Kryeministri indian Narendra Modi dhe homologja e tij italiane Giorgia Meloni kanë rikthyer në qendër të vëmendjes fenomenin viral “Melodi”, pas një momenti plot batuta gjatë vizitës së Modi-t në Romë.
Meloni publikoi në rrjetet sociale një video ku shfaqej duke marrë një dhuratë simbolike nga Modi dhe ajo ishte as më pak e as më shumë, përveçse një pako me karamele “Melody”, të njohura në Indi.
Me humor, kryeministrja italiane tha në video: “Kryeministri Modi na solli një dhuratë, karamele të shkëlqyera… Melody.”
Videoja u shpërnda me shpejtësi në internet, ndërsa fotografia e dy liderëve në rrugët e Romës dhe pranë Koloseumit mori miliona reagime në vetëm pak orë.
Nofka “Melodi” për karamelet e famshme, një kombinim i mbiemrave “Meloni” dhe “Modi”, është kthyer prej kohësh në një fenomen në rrjetet sociale, ku përdoruesit komentojnë raportin miqësor dhe kiminë pozitive mes dy liderëve gjatë takimeve ndërkombëtare.
Në një postim në rrjetin X, Modi shkroi se “me të mbërritur në Romë, pata mundësinë të takoja Kryeministren Meloni për darkë, e më pas një vizitë në Koloseun ikonik”. “Shkëmbyem perspektiva mbi një gamë të gjerë temash”, shtoi ai.
Por historia nuk përfundoi vetëm në rrjetet sociale. Momenti viral shkaktoi edhe një reagim të pazakontë në bursën indiane. Menjëherë pas publikimit të videos së Melonit, investitorët nisën të kërkonin në treg emrin “Parle”, kompania që prodhon karamelet “Melody”. Megjithatë, shumë prej tyre blenë aksionet e Parle Industries, duke menduar gabimisht se kishte lidhje me produktin viral.
Në realitet, karamelet “Melody” prodhohen nga Parle Products, kompania e njohur për produkte si Parle-G, Monaco dhe Mango Bite. Por Parle Products është kompani private dhe nuk është e listuar në bursë.
Ndërkohë, Parle Industries operon në sektorin e pasurive të paluajtshme, infrastrukturës dhe riciklimit të letrës, pa asnjë lidhje me industrinë ushqimore. Pavarësisht kësaj, vetëm për shkak të ngjashmërisë së emrit dhe viralitetit të momentit “Melodi”, aksionet e kompanisë panë një rritje të menjëhershme gjatë seancës tregtare të së mërkurës.
Një karamele me vlerë vetëm 1 rupi mjaftoi për të krijuar një nga historitë më të pazakonta të ditës në tregjet financiare indiane.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)