“Ishte e pamundur të hynin rastësisht në shpellë”, rrëfimi i ekspertit që nxori trupat e pajetë të zhytësve italianë

Drejtuesi i ekipit finlandez që realizoi operacionin për nxjerrjen e trupave të dy zhytësve italianë të vdekur në Maldive ka hedhur poshtë dyshimet se ata mund të jenë futur aksidentalisht në shpellën nënujore ose të jenë “thithur” nga rrymat e ujit.

Burimi: Tgcom

21.05.2026. 10:28

“Ishte e pamundur të hynin rastësisht në shpellë”, rrëfimi i ekspertit që nxori trupat e pajetë të zhytësve italianë

Drejtuesi i ekipit finlandez që realizoi operacionin për nxjerrjen e trupave të dy zhytësve italianë të vdekur në Maldive ka hedhur poshtë dyshimet se ata mund të jenë futur aksidentalisht në shpellën nënujore ose të jenë “thithur” nga rrymat e ujit.

Në një intervistë për “Corriere della Sera”, eksperti finlandez Sami Paakkarinen shpjegoi se shpella ku ndodhi tragjedia ishte shumë e madhe dhe e dukshme, duke theksuar se në ato thellësi ende depërton drita e diellit.

“Është e pamundur të futesh aty pa e kuptuar. Në Maldive dielli ndriçon deri në 100 metra thellësi, ndërsa shpella ndodhej rreth 60 metra. Kur hyn në një shpellë e kupton menjëherë, sepse fillon errësira”, deklaroi ai.

Paakkarinen komentoi edhe pretendimet për një efekt “thithjeje” nga rrymat e ujit, duke sqaruar se brenda shpellës ekzistonte vetëm një rrymë shumë e lehtë.

“Shpella, si të thuash, merr frymë, ka një hyrje dhe dalje të lehtë të ujit, por rryma ishte shumë e dobët. Nuk ka mundësi që të ketë thithur dikë”, tha eksperti.

Ai theksoi se zhytjet në shpella të thella janë ndër operacionet më të rrezikshme në botën e zhytjes dhe kërkojnë planifikim maksimal, trajnim profesional dhe pajisje shumë të specializuara.

“Një zhytje e tillë nuk është kurrë e lehtë. Nuk duhet bërë nëse nuk je plotësisht i sigurt për rezultatin. Ka shumë detaje të vogla që duhet të funksionojnë në mënyrë perfekte”, u shpreh ai.

Sipas Paakkarinen, për zhytje në thellësi mbi 60 metra nuk mjafton ajri normal, por përdoren përzierje speciale gazesh të quajtura “trimix”, të përbëra nga oksigjen, azot dhe helium, të cilat ndihmojnë zhytësit të qëndrojnë të kthjellët në thellësi ekstreme.

Ai zbuloi se ekipi i tij përdori gjithashtu pajisje të avancuara “rebreather”, të cilat riciklojnë gazin e frymëmarrjes dhe lejojnë zhytësit të qëndrojnë nën ujë deri në pesë orë, madje edhe dhjetë orë në kushte ekstreme.

I pyetur nëse mungesa e pajisjeve të duhura mund të ketë ndikuar në tragjedi, Paakkarinen shmangu të japë një përgjigje direkte për shkak të hetimeve në vazhdim, por theksoi se zhytjet në shpella dhe në thellësi të tilla kërkojnë pajisje dhe qasje krejt ndryshe nga zhytjet normale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)