Kryeministri Rama nis vizitën në Japoni, zbardhet agjenda

Gjatë qëndrimit në Tokio, Rama pritet të zhvillojë një takim zyrtar me kryeministren japoneze Sanae Takaichi.

21.05.2026. 18:31

Kryeministri Rama nis vizitën në Japoni, zbardhet agjenda

Kryeministri Edi Rama, ka mbërritur në Tokio në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Japoni, pas qëndrimit në Korenë e Jugut. Ai është pritur në kryeqytetin japonez me simbolet kombëtare të Shqipërisë dhe Japonisë, ndërsa ka ndarë edhe pamje nga momenti në rrjetet sociale.

Vizita zyrtare në Japoni do të vijojë deri më 23 maj dhe synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, politik dhe institucional mes dy vendeve.

Gjatë qëndrimit në Tokio, Rama pritet të zhvillojë një takim zyrtar me kryeministren japoneze Sanae Takaichi, si dhe një vizitë kortezie me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Eisuke Mori.

Në axhendën e vizitës përfshihet edhe një aktivitet në Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku kreu i qeverisë shqiptare do të marrë pjesë në një panel diskutimi me temë “Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE: Roli i Japonisë”.

Në këtë aktivitet, Rama pritet të prezantojë procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe objektivin për përmbylljen e negociatave në vitet e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e partneriteteve strategjike me vende si Japonia.

Po ashtu, kryeministri do të takohet me anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë Japoni–Shqipëri dhe me përfaqësues të lartë të Organizatës Japoneze të Tregtisë së Jashtme, në fokus të të cilave pritet të jenë investimet dhe bashkëpunimi ekonomik.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)