BE avancon negociatat me Shqipërinë, dritë jeshile për IBAR-in, më 26 maj konferenca ndërqeveritare

Shqipëria ka marrë një sinjal pozitiv në procesin e integrimit europian, pasi Grupi i Punës për Zgjerimin në Këshillin e BE-së, COELA, miratoi draftin e qëndrimit të përbashkët për raportin IBAR, dokument kyç që vlerëson progresin e vendit në negociatat me Bashkimin Europian.

21.05.2026. 16:24

BE avancon negociatat me Shqipërinë, dritë jeshile për IBAR-in, më 26 maj konferenca ndërqeveritare

Shqipëria ka marrë një sinjal pozitiv në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi Grupi i Punës për Zgjerimin në Këshillin e BE-së, COELA, ka miratuar draftin e qëndrimit të përbashkët për raportin IBAR, dokument kyç që vlerëson progresin e vendit në negociatat e integrimit.

Vendimi i marrë në Bruksel konsiderohet një hap me peshë politike dhe teknike për ecurinë e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Drafti i dakordësuar nga të 27 shtetet anëtare pritet të kalojë të premten në COREPER, organin e ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa më 26 maj është planifikuar mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Burime diplomatike bëjnë me dije se miratimi në COELA është realizuar pa asnjë kundërshtim nga shtetet anëtare, duke i hapur rrugë fazës së ardhshme të procesit të integrimit dhe diskutimeve për mbylljen graduale të kapitujve të negociatave.

Raporti IBAR, i njohur si “Interim Benchmark Assessment Report”, është dokumenti teknik i Komisionit Europian që mat nivelin e përmbushjes së kritereve nga një vend kandidat, veçanërisht në fusha të ndjeshme si sundimi i ligjit, drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit. Për Shqipërinë, ky raport shihet si testi më i rëndësishëm institucional përpara avancimit të mëtejshëm të negociatave.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e cilësoi zhvillimin si rezultat të një pune të gjatë institucionale.

“Jemi në përmbyllje të një jave brenda së cilës Bashkimi Europian, në respekt të procedurave burokratike, kalon nga grupi i punës te Komiteti i Përfaqësuesve nesër, ku në njëfarë mënyre miratohet gjithë ajo punë kolosale e bërë nga shumë institucione shtetërore të përfshira në këtë proces të adresimit të piketave të ndërmjetme”, deklaroi Balla nga Kuvendi.

Pas shqyrtimit në COREPER, hapi i radhës do të jetë Konferenca Ndërqeveritare e 26 majit, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. Takimi konsiderohet vendimtar për ritmin e mëtejshëm të negociatave dhe për hapjen e fazës së mbylljes së kapitujve të anëtarësimit.

Megjithatë, dokumenti i miratuar nuk përmban vetëm vlerësime pozitive. Sipas draftit të dakordësuar mes vendeve anëtare, Bashkimi Europian ka ashpërsuar ndjeshëm gjuhën ndaj disa problematikave të brendshme në Shqipëri, krahasuar me versionin fillestar të hartuar në shkurt 2026.

Për herë të parë, raporti përmend drejtpërdrejt SPAK-un dhe ngre shqetësime për “përpjekje të shtuara dhe shqetësuese” nga politikanë dhe zyrtarë të niveleve të larta për të ushtruar ndikim mbi institucionet e drejtësisë. Dokumenti ndalet edhe te raporti mes politikës dhe sistemit të drejtësisë, duke theksuar nevojën për respektimin e standardeve europiane mbi imunitetin parlamentar dhe pavarësinë e hetimeve.

Në këtë kontekst përmendet edhe rasti i ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK kishte kërkuar autorizim për procedura hetimore, por shumica socialiste votoi kundër në Kuvend.

Një tjetër element i fortë i raportit lidhet me korrupsionin. Në draftin më të fundit, ai përkufizohet si një “shqetësim vendimtar”, formulim që konsiderohet ndër më kritikët në terminologjinë zyrtare të BE-së. Dokumenti përmend gjithashtu nevojën për masa konkrete kundër rrjeteve të patronazhit dhe përdorimit të burimeve shtetërore për interesa politike.

Sipas dokumentit, Shqipëria duhet të adresojë “çrregullimet në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe industrisë së ndërtimit si pasojë e korrupsionit”, ndërsa vendet anëtare kanë kërkuar kushte më konkrete dhe më të forta përpara çdo avancimi të mëtejshëm në negociata.

Përkundër debateve politike të muajve të fundit dhe pretendimeve të opozitës për bllokim të procesit të integrimit, miratimi i draftit në COELA shihet në Bruksel si një sinjal se negociatat me Shqipërinë po vijojnë, por nën monitorim të shtuar për çështjet që lidhen me drejtësinë, korrupsionin dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)