Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka është paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të hetimeve që lidhen me çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ajo ka qëndruar për rreth dy orë në ambientet e SPAK.
Në përfundim të paraqitjes përpara prokurorëve, ajo është larguar pa dhënë asnjë prononcim për mediat, duke mos komentuar as arsyen e thirrjes dhe as pyetjet ndaj të cilave ka dhënë argumentet mbrojtëse. Bushka është nën hetim për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me dyshimin se ka ndërhyrë në një fazë të hetimeve që lidhen me dosjen Veliaj në fund të vitit 2024, sipas Prokurorisë së Posaçme.
Sipas legjislacionit, kjo vepër lidhet me veprime që synojnë fshehjen ose ndryshimin e provave apo pengimin e identifikimit të autorëve të një vepre penale. Në deklarimet e mëparshme, Bushka ka pranuar njohje dhe miqësi me personat e përfshirë në çështje, kryebashkiakun Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, por ka mohuar çdo përfshirje në veprime të paligjshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)