Policia e Sarandës, kontrolle edhe për konsum alkooli ndaj drejtuesve të mjeteve lundruese

Aksioni ka sjellë debate dhe diskutime mes operatorëve turistikë, të cilët e shohin ndërhyrjen si një hakmarrje të menjëhershme pas protestës së tyre.

31.05.2026. 15:42

Policia e Sarandës, kontrolle edhe për konsum alkooli ndaj drejtuesve të mjeteve lundruese

Vetëm një ditë pas protestës së operatorëve të mjeteve lundruese, autoritetet kanë ndërmarrë një aksion të gjerë kontrollesh në ujërat e Sarandës dhe Ksamilit, duke verifikuar dokumentacionin, kushtet teknike dhe respektimin e rregullave të sigurisë nga drejtuesit e mjeteve. Gjatë kontrolleve janë vendosur masa administrative, janë kryer verifikime të shumta dhe në disa raste janë bllokuar mjete lundruese që nuk plotësonin kërkesat ligjore për ushtrimin e aktivitetit.

Burime nga terreni bëjnë me dije se një nga pikat kryesore të aksionit ka qenë kontrolli i drejtuesve për konsumim të alkoolit gjatë drejtimit të mjeteve lundruese, një problematikë e ngritur prej kohësh si shqetësim për sigurinë e turistëve dhe pushuesve që frekuentojnë zonat bregdetare. Aksioni ka ngjallur reagime edhe për kohën e zhvillimit të tij, pasi vjen menjëherë pas protestës së skafistëve lidhur me çështjen e vendbazimeve dhe organizimin e aktivitetit të tyre gjatë sezonit turistik.

Kjo ka sjellë komente dhe diskutime mes operatorëve, të cilët e shohin ndërhyrjen si një hakmarrje të menjëhershme pas protestës së tyre. Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare të Sarandës dhe Ksamilit, me qëllim garantimin e sigurisë detare dhe respektimin e standardeve ligjore nga të gjithë operatorët që ushtrojnë aktivitet në det gjatë sezonit veror.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)