Arrestohet 51-vjeçari në Tiranë me 811 gramë kokainë, dyshohet si furnizues i një rrjeti shpërndarje

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari F. B. u ndalua në një lokal në zonën e Freskut. Lënda narkotike dyshohet se do të shpërndahej në doza të vogla në zona të ndryshme të kryeqytetit.

31.05.2026. 13:17

Arrestohet 51-vjeçari në Tiranë me 811 gramë kokainë, dyshohet si furnizues i një rrjeti shpërndarje

Policia ka arrestuar një 51-vjeçar në zonën e Freskut në Tiranë, gjatë një operacioni të koduar “Zonat”, i cili synon goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet. Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari F. B. u ndalua në një lokal në zonën e Freskut, ku gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua rreth 811 gramë kokainë.

Lënda narkotike dyshohet se do të shpërndahej në doza të vogla në zona të ndryshme të Tiranës. Hetimet paraprake sugjerojnë se ai dyshohet si pjesë e një rrjeti më të gjerë që merret me furnizimin dhe shpërndarjen e drogës në kryeqytet, ndërsa policia po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Operacioni është realizuar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve operative dhe hetimeve të mëparshme.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, u finalizua me sukses faza e dytë e operacionit policor të koduar “Zonat”.

Si rezultat i kësaj faze të operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi F. B., 51 vjeç. Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe pas një pune hetimore e operacionale të mirëorganizuar, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan këtë shtetas në një lokal në zonën e Freskut. Gjatë kontrollit të çantës që ai mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të saj dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 811 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas do të furnizonte edhe shtetas të tjerë me këtë sasi lënde narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Faza e parë e operacionit “Zonat” u finalizua një ditë më parë nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, ku u sekuestruan mbi 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe u vu në pranga poseduesi i saj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)