Një hetim i autoriteteve italiane ka zbuluar dyshime për keqpërdorimin e fondeve publike të destinuara për pritjen e emigrantëve në provincën e Benevento-s, ku dëmi ekonomik i llogaritur arrin në 1.3 milionë euro. Sipas hetimeve të Guardia di Finanza dhe Prokurorisë Rajonale pranë Gjykatës së Llogarive në Kampania, tetë persona janë nën hetim, mes tyre edhe ish-funksionarë dhe ish-punonjës të Prefekturës së Beneventos.
Autoritetet dyshojnë se një pjesë e fondeve të akorduara për menaxhimin e qendrave të pritjes së emigrantëve nga konsorciumi “Maleventum” janë përdorur për shpenzime personale, duke përfshirë udhëtime, pushime, blerjen e artikujve të luksit dhe transferta parash për familjarë të drejtuesve. Hetimet tregojnë se gjatë viteve 2014-2018, përmes Prefekturës së Beneventos, konsorciumi kishte përfituar mbi 20 milionë euro nga Ministria e Brendshme Italiane për strehimin e azilkërkuesve dhe personave në kërkim të mbrojtjes ndërkombëtare.
Kontrollet në qendrat e pritjes evidentuan mungesa të theksuara higjieno-sanitare, mbipopullim, mungesë të shërbimeve bazë dhe mosrespektim të standardeve të sigurisë, ndërkohë që një pjesë e fondeve dyshohet se përfundoi në përfitime private. Çështja buron nga një procedim penal i nisur në vitin 2018, i cili përfundoi me një vendim dënues nga gjykata e Beneventos më 21 prill. Tashmë, të dyshuarve u është dorëzuar njoftimi për paraqitjen e argumenteve të mbrojtjes përpara se të merret një vendim përfundimtar nga gjykata kontabël.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)