Dhuna ndaj protestuesve në Zvërnec, reagon deputetja e PS Briseida Çakërri

Përfaqësuesja socialiste theksoi se Shqipëria ka nevojë për investime dhe zhvillim ekonomik, por këto duhet të realizohen gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respektimin e komunitetit dhe mjedisit.

31.05.2026. 10:34

Dhuna ndaj protestuesve në Zvërnec, reagon deputetja e PS Briseida Çakërri

Ngjarjet e ndodhura gjatë protestës së qytetarëve në Zvërnec të Vlorës, ku disa protestues janë përplasur me roje private dhe njëri prej tyre është tërhequr zvarrë, kanë sjellë reagime politike. Deputetja e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri e ka dënuar ashpër incidentin, duke e cilësuar përdorimin e dhunës nga persona të maskuar si një “hije të rëndë mbi parimet e shtetit të së drejtës”.

Sipas saj, në një shoqëri demokratike autoriteti i ligjit nuk mund të zëvendësohet nga askush dhe rendi publik nuk duhet të delegohet jashtë institucioneve shtetërore përgjegjëse për të. Çakërri theksoi se Shqipëria ka nevojë për investime dhe zhvillim ekonomik, por këto duhet të realizohen gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respektimin e komunitetit dhe mjedisit.

“Pamjet e personave të maskuar që përplasen dhe ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve janë një hije e rëndë mbi parimet e shtetit të së drejtës. Autoriteti i ligjit nuk mund të zëvendësohet nga askush dhe rendi publik nuk mund të delegohet jashtë institucioneve që e kanë këtë përgjegjësi. Reagimi i Policisë së Shtetit dhe procedimi i rojeve private të përfshira në ngjarje janë një sinjal se askush nuk mund të veprojë përtej kufijve që vendos ligji”, shkruante deputetja.

Ajo shtoi gjithashtu se ndërhyrja e Policisë së Shtetit dhe procedimi i rojeve private të përfshira në ngjarje tregon se askush nuk është mbi ligjin. Ngjarja ndodhi gjatë protestës së qytetarëve dhe aktivistëve kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit, për të cilin organizata të shoqërisë civile shprehin shqetësime për ndikimin në një zonë të mbrojtur dhe në ekosistemin lokal.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)