Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra drejtorin e policisë së Vlorës, Elidon Çela, pas raportimit të përplasjeve gjatë protestës së të shtunës në Zvërnec.
Sipas Policisë së Shtetit, informacioni i publikuar lidhur me ndalimin e një qytetari gjatë protestës nuk përputhej me faktet. Sipas reagimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë raportoi gabimisht se një qytetar ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit në zonën e Zvërnecit. Pas shqyrtimit të rastit, rezultoi se ky pretendim nuk ishte i saktë.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast”, thuhet në reagimin zyrtar.
Pavarësisht se pjesa tjetër e komunikatës së Policisë së Vlorës është konsideruar korrekte, Hita ka vendosur pezullimin e menjëhershëm të drejtorit vendor, duke e cilësuar saktësinë e informacionit si element thelbësor për ruajtjen e besueshmërisë së institucionit.
Në të njëjtën deklaratë, Policia e Shtetit sqaroi edhe çështjen e pronës ku u zhvillua protesta. Sipas saj, territori i rrethuar rezulton pronë private me dokumentacion të rregullt hipotekor dhe me autorizimet ligjore përkatëse për rrethimin.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që çdo pretendim lidhur me pronësinë apo zhvillimin e një prone private ta ndjekin përmes rrugëve ligjore dhe gjykatave kompetente.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)