Një borxh i pashlyer është kthyer në një incident të dhunshëm në Korçë, ku një i ri ka mbetur i plagosur pas një konflikti që degradoi në përdorimin e thikës.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi pas një debati mes dy personave, i cili dyshohet se lidhej me një borxh prej 100 mijë lekësh të vjetra. Sherri u përshkallëzua me shpejtësi, duke përfunduar me goditje me grushte dhe përdorimin e një thike.
Si pasojë, një i ri ka pësuar një plagë në pjesën e barkut, si dhe lëndime të tjera në trup nga goditjet fizike. Ai është transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Korçës, ku po merr ndihmën mjekësore të nevojshme. Burime spitalore bëjnë me dije se i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.
Sipas burimeve paraprake, autori i dyshuar është identifikuar, ndërsa efektivët po vijojnë kërkimet për kapjen e tij.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)