Përplasjet gjatë protestës në Zvërnec, reagon policia: Procedohen 17 persona, dy prej tyre punonjës të sigurisë private

Përplasjet e regjistruara gjatë protestës kundër projektit turistik në Zvërnec kanë sjellë reagimin zyrtar të Policisë së Vlorës, e cila ka nisur procedime penale ndaj 17 personave, mes tyre edhe dy punonjës të një shoqërie private sigurie.

30.05.2026. 18:38

Përplasjet gjatë protestës në Zvërnec, reagon policia: Procedohen 17 persona, dy prej tyre punonjës të sigurisë private

Përplasjet e regjistruara gjatë protestës kundër projektit turistik në Zvërnec kanë sjellë reagimin zyrtar të Policisë së Vlorës, e cila ka nisur procedime penale ndaj 17 personave, mes tyre edhe dy punonjës të një shoqërie private sigurie të kontraktuar për ruajtjen e kantierit të ndërtimit.

Sipas Policisë, protesta u zhvillua në zonën e njohur si “Portonovë”, ku banorë të fshatit Zvërnec kundërshtuan zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private. Autoritetet bëjnë të ditur se kishin marrë masa paraprake për garantimin e rendit publik dhe mbrojtjen e pronës private.

Sipas versionit zyrtar, gjatë tubimit situata u përshkallëzua kur një grup protestuesish tentoi të prishte rrethimin e kantierit. Në këtë situatë, thotë policia, një prej protestuesve, i identifikuar me inicialet E.S., dyshohet se hyri me forcë brenda perimetrit të rrethuar dhe më pas u shoqërua nga punonjësit e sigurisë private në ambientet e rojeve.

Policia thotë se gjatë këtij veprimi protestuesi ka pësuar dëmtime trupore. Menjëherë pas njoftimit, efektivët ndërhynë dhe e nxorën atë nga ambienti ku mbahej, ndërsa më pas ai paraqiti kallëzim penal ndaj dy punonjësve të sigurisë private. Si rezultat i hetimeve paraprake, janë proceduar penalisht dy punonjësit e kompanisë së sigurisë, 35 dhe 41 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Po ashtu, në vijim të veprimeve procedurale, janë proceduar edhe 15 pjesëmarrës në protestë, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim dëmtimin e rrethimit të kantierit. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprat penale që lidhen me organizimin e grumbullimeve të paligjshme, shkatërrimin e pronës dhe plagosjen e lehtë me dashje.

Ndërkohë, në një reagim, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” deklaroi se projekti po zhvillohet mbi një truall që, sipas saj, është pronë private e blerë ligjërisht. Kompania theksoi se investimi parashikohet të kalojë vlerën e 4 miliardë eurove dhe se synon të krijojë mbi 10 mijë vende pune, duke premtuar gjithashtu respektim të standardeve mjedisore dhe ligjore gjatë zbatimit të projektit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)