“Detyrë kryesore, barazia para ligjit”, Rama: Shqipëria në fazën e fundit të integrimit në BE

Kryeministri tha se pas vendimeve të marra më 26 maj në Bruksel, vendi ka hyrë në fazën e mbylljes së negociatave me Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë moment si një hap historik drejt anëtarësimit.

31.05.2026. 10:55

“Detyrë kryesore, barazia para ligjit”, Rama: Shqipëria në fazën e fundit të integrimit në BE

Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në fazën përfundimtare të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, të cilën e cilësoi si më të vështirën, por edhe më vendimtaren. Duke folur në podkastin e tij “Flasim”, kryeministri tha se pas vendimeve të marra më 26 maj në Bruksel, vendi ka hyrë në fazën e mbylljes së negociatave me Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë moment si një hap historik drejt anëtarësimit.

“Erdhëm në ditën kur Shqipëria hyri në fazën e re dhe të fundit të rrugëtimit të saj europian. Kemi një hapësirë të ndërmjetme në vitin 2028 dhe kemi objektivin madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030. Menjëherë pas asaj dite të shënuar në Bruksel, ku hymë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ne jemi ulur dhe kemi miratuar disa vendime të rëndësishme që lidhen me Shqipërinë që duam të ndërtojmë deri në fund të kësaj decade”, tha kryeministri.

Ai theksoi se detyra kryesore në këtë fazë është garantimi i “barazisë para ligjit”, duke nënvizuar se shteti duhet t’i shërbejë qytetarit dhe qytetari shtetit, në funksion të forcimit të institucioneve dhe sundimit të ligjit.

“Integrimi europian lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me aftësinë tonë për të ndërtuar institucione më të forta, për të investuar te njerëzit, për të planifikuar zhvillimin afatgjatë, por edhe me domosdoshmërinë për ta përgatitur Shqipërinë, për ta jetësuar në hapësirën e republikës sonë vendin e standardeve dhe të përgjegjësive të shtetit në raport me qytetarin dhe të qytetarit në raport me shtetin, e të dyve bashkë në raport me të nesërmen e atdheut”, theksoi Rama.

Kryeministri shtoi se synimi është mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027, ndërsa anëtarësimi i plotë në BE pritet brenda kësaj dekade, duke e cilësuar procesin si “ngjitjen në majën e malit”. Ai foli gjithashtu për transformimin dixhital të administratës, duke prezantuar kompaninë e re publike “Albanian Digital Solutions”, e cila do të fokusohet në zhvillimin e shërbimeve digjitale dhe inovacionit në qeverisje, si pjesë e reformës së gjerë të teknologjisë në shtet.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)