Një krizë e re karburanti po prek Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia prej fillimit të luftës në Ukrainë. Aty qytetarët po përballen me radhë të gjata dhe kufizime të forta në furnizimin me benzinë. Autoritetet lokale kanë njoftuar se, duke nisur nga 30 maji, shitja e benzinës është kufizuar në vetëm 20 litra për person në ditë.
Masat janë marrë për shkak të mungesës së furnizimeve në disa pika karburanti, ku në shumë raste karburanti është shteruar plotësisht. Sipas zyrtarëve të instaluar nga Rusia, në disa zona të Krimesë të gjitha llojet e benzinës janë zhdukur nga pompat, ndërsa furnizimi me naftë mbetet i kufizuar.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos grumbullojnë karburant dhe të furnizohen në mënyrë të rregullt. Kreu i administratës lokale ka deklaruar se situata pritet të stabilizohet brenda ditës, megjithatë radhët në stacionet e hapura vazhdojnë të rriten.
Sipas raportimeve të mediave të pavarura, kriza e furnizimit lidhet me ndërprerje në rrugën kryesore të transportit të karburantit drejt gadishullit, pas sulmeve ukrainas me dronë, që kanë prekur korridorin tokësor që lidh Krimenë me territorin rus. Ngjarja ka nxjerrë në pah një paradoks të situatës aktuale: pavarësisht se është një prej gjigandëve të prodhimit të naftës në rajon, Rusia efektivisht nuk arrin të furnizojë me naftë qytetarët.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)