Institucioni i Avokati i Popullit ka bërë të ditur se po vijon hetimin e nisur kryesisht për ngjarjet e ndodhura gjatë protestës në Zvërnec, ku u raportuan përplasje, ndalime dhe raste dhune ndaj qytetarëve. Sipas një deklarate zyrtare, drejtuesja e Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit qëndroi deri në orët e vona të së shtunës në Komisariatin e Policisë në Vlorë.
Aty verifikoi nga afër gjendjen e protestuesve të ndaluar gjatë operacionit policor. Gjatë inspektimit u zhvillua edhe një takim me drejtues të Policisë Vendore për të diskutuar ligjshmërinë e ndalimeve dhe trajtimin e personave të shoqëruar.
Institucioni ka kërkuar zyrtarisht informacion të detajuar nga Policia e Shtetit lidhur me mënyrën se si është mbikëqyrur veprimtaria e rojeve private të sigurisë në zonën ku zhvillohej protesta. Avokati i Popullit thekson se hetimi është nisur për të verifikuar respektimin e të drejtave të qytetarëve që ushtronin të drejtën kushtetuese të protestës dhe ka garantuar se do të vijojë ndjekjen e çështjes, duke informuar publikun për rezultatet dhe hapat e mëtejshëm të procesit.
Deklarata e Avokatit të Popullit:
Drejtuesja e Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit qëndroi deri në orët e vona të së shtunës në komisariatin e policisë Vlorë, ku verifikoi në vend gjendjen e protestuesve të ndaluar gjatë ngjarjeve në Zvërnec.
Kjo vizitë është pjesë e hetimit që kemi nisur kryesisht (ex officio) për dhunën ndaj qytetarëve që ushtronin të drejtën kushtetuese të protestës.
Gjatë inspektimit u zhvillua edhe një takim me drejtuesit e drejtorisë vendore të policisë për të diskutuar respektimin e bazës ligjore të ndalimeve dhe trajtimin e të ndaluarve.
Avokati i Popullit ka kërkuar zyrtarisht nga policia informacion të detajuar për mënyrën si u mbikëqyr veprimtaria e policisë private në zonën ku po protestohej.
Avokati i Popullit do të vijojë ta ndjekë këtë çështje dhe do të informojë publikun për hapat e mëtejshëm.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)