Kriminaliteti kibernetik në rritje, çdo 14 persona një bie pre e mashtrimeve online

Një klikim i gabuar apo hapja e një linku të dyshimtë dhe përdoruesit humbasin para ose të dhëna personale. Rastet më të zakonshme lidhen me mashtrimet në blerjet online, sulmet phishing dhe vjedhjen e identitetit.

31.05.2026. 14:43

Kriminaliteti kibernetik në rritje, çdo 14 persona një bie pre e mashtrimeve online

Mashtrimet në internet po kthehen në një nga kërcënimet më të mëdha për qytetarët, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se krimi kibernetik nuk është më një fenomen i izoluar. Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale për Sigurinë e Informacionit në Gjermani, një në 14 persona ka rënë viktimë e një krimi online gjatë vitit të kaluar. Ekspertët thonë se mjafton një klikim i gabuar apo hapja e një linku të dyshimtë që përdoruesit të humbasin para ose të dhëna personale.

Rastet më të zakonshme lidhen me mashtrimet në blerjet online, sulmet phishing dhe vjedhjen e identitetit. Një nga rastet e përmendura është ai i Joel K., një 32-vjeçar dhe baba i ri, i cili tentoi të blinte një telefon të markës së njohur përmes një platforme online. Oferta dukej bindëse dhe çmimi ishte rreth 200 euro më i ulët se vlera e tregut.

Shitësi komunikonte në mënyrë miqësore dhe kishte dërguar edhe foto të produktit, por pasi pagesa u krye paraprakisht, rezultoi se bëhej fjalë për një mashtrim dhe paratë humbën. Autoritetet paralajmërojnë se kriminelët kibernetikë po përdorin gjithnjë e më shumë mënyra të sofistikuara për të përfituar nga pakujdesia apo rutina e përdoruesve. Një fjalëkalim i dobët, përdorimi i rrjeteve publike Wi-Fi apo klikimi mbi një link të dyshimtë mund të mjaftojë për të komprometuar të dhënat personale.

Një problem tjetër mbetet mungesa e mbrojtjes financiare për viktimat. Shumë qytetarë nuk janë të informuar se sigurimet tradicionale, si ato të banesës apo përgjegjësisë civile, shpesh nuk mbulojnë dëmet që lidhen me mashtrimet online, vjedhjen e identitetit apo shpërndarjen e paautorizuar të të dhënave personale.

Në këtë kontekst, kompani të ndryshme sigurimi po prezantojnë paketa të posaçme për mbrojtje digjitale. Sipas përfaqësuesve të kompanisë gjermane Debeka, kërcënimet kibernetike tashmë janë pjesë e jetës së përditshme dhe po prekin gjithnjë e më shumë individët, jo vetëm bizneset. Anëtari i bordit drejtues të kompanisë, Normann Pankratz, deklaroi se sigurimi kibernetik synon të ofrojë mbështetje të menjëhershme për qytetarët në rastet e vjedhjes së të dhënave, hakimit të llogarive apo mashtrimeve financiare online.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)