Meta prezanton abonimin me pagesë për Whatsapp, Instagram e Facebook, për çfarë shërben?

Meta ka sqaruar se këto abonime nuk do të zëvendësojnë shërbimin Meta Verified, i cili vazhdon të përdoret për verifikimin dhe mbrojtjen e profileve.

Burimi: Tgcom

29.05.2026. 07:27

Meta prezanton abonimin me pagesë për Whatsapp, Instagram e Facebook, për çfarë shërben?

Kompania Meta ka nisur një fazë të re për rrjetet e saj sociale duke prezantuar abonime të reja me pagesë për përdoruesit e Instagram, Facebook dhe WhatsApp. Paketat e reja “Plus” do të ofrojnë funksione shtesë për personalizimin e profileve, menaxhimin e historive dhe përmirësimin e përvojës në biseda.

Sipas kompanisë Meta, shërbimet e reja do të shpërndahen gradualisht edhe në Itali dhe vende të tjera. Qëllimi i tyre është të krijojnë burime të reja të ardhurash përtej reklamave tradicionale, duke u fokusuar te abonimet mujore.

Paketa Instagram Plus sjell disa funksione të reja për “stories”. Përdoruesit do të mund t’i mbajnë historitë aktive për më shumë se 24 orë, të shohin sa herë është rishikuar një story dhe të shikojnë paraprakisht historitë e të tjerëve pa u shfaqur si shikues. Gjithashtu do të ketë lista të pakufizuara për shpërndarje dhe mundësi për të promovuar një story çdo javë.

Ndërkohë, Facebook Plus do të fokusohet më shumë te personalizimi i profileve dhe ndërveprimi me përdoruesit e tjerë. Në anën tjetër, WhatsApp Plus do të sjellë tema të reja grafike, sticker ekskluzivë, zile të personalizuara dhe mundësi për të fiksuar më shumë biseda në krye të aplikacionit.

Meta ka sqaruar se këto abonime nuk do të zëvendësojnë shërbimin Meta Verified, i cili vazhdon të përdoret për verifikimin dhe mbrojtjen e profileve.

Sa i përket çmimeve, Instagram Plus dhe Facebook Plus do të kushtojnë 3.99 dollarë në muaj, ndërsa WhatsApp Plus do të nisë nga 2.99 dollarë, ose rreth 2.49 euro në muaj.

Kompania po përgatit gjithashtu paketa më të avancuara të lidhura me inteligjencën artificiale. Shërbimi “Meta One Plus” do të ofrojë përdorim më të zgjeruar të Meta AI, ndërsa “One Premium” do të përfshijë krijim më të avancuar të imazheve dhe videove, si edhe një modalitet të quajtur “Thinking Mode” për kërkesa më komplekse.

Për bizneset dhe krijuesit e përmbajtjeve do të ketë edhe plane speciale që ofrojnë verifikim identiteti, menaxhim profesional të profileve dhe më shumë dukshmëri në rrjetet sociale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)