Në pritje të 11 korrikut në Tiranë, Kanye West vendos rekord me 118 mijë spektatorë në Turqi

Ky ishte një rekord absolut në historinë e koncerteve. Asnjëherë më parë në historinë e muzikës nuk kishte ndodhur që kaq shumë njerëz të paguanin biletë për të parë performancën e një artisti.

31.05.2026. 15:04

Në pritje të 11 korrikut në Tiranë, Kanye West vendos rekord me 118 mijë spektatorë në Turqi

Kanye West, i njohur gjithashtu si Ye, ka mbajtur një koncert masiv në Stamboll të Turqisë, ku sipas raportimeve morën pjesë rreth 118 mijë spektatorë në stadiumin “Atatürk”. Ky ishte një record absolut në historinë e koncerteve. Asnjëherë më parë në historinë e muzikës nuk kishte ndodhur që kaq shumë njerëz të paguanin biletë për të parë performancën e një artisti.

Koncerti dyorësh shënoi rikthimin e reperit amerikan në Europë për herë të parë që nga viti 2014 dhe performancën e tij të parë ndonjëherë në Turqi. Në publik ndodheshin fansa nga Britania, Gjermania, Franca, Holanda, Italia, Polonia, Rusia dhe vende të Lindjes së Mesme. Ngjarja vjen në një periudhë kur West është përballur me anulime dhe kufizime në disa vende europiane për shkak të deklaratave të tij antisemite në vitet e fundit, përfshirë komente që vlerësonin Adolf Hitler dhe publikimin e përmbajtjeve me simbole naziste.

Në prill, autoritetet britanike i refuzuan hyrjen në vend, duke çuar në anulimin e një paraqitjeje të planifikuar në Wireless Festival në Londër. Gjithashtu, u anuluan ose u shtynë edhe koncerte të planifikuara në Francë dhe Poloni. Megjithatë, artisti 48-vjeçar pritet të vazhdojë turneun e tij europian me koncerte të planifikuara në Holandë gjatë muajit qershor.

Në fillim të këtij viti, West publikoi një deklaratë publike ku hoqi dorë nga qëndrimet e mëparshme në lidhje me Hitlerin dhe kërkoi falje për sjelljen e tij, duke deklaruar se ajo lidhej me probleme shëndetësore të padiagnostikuara më parë dhe me çrregullimin bipolar të patrajtuar. Këngëtari pritet të zhvillojë një koncert po kaq madhështor më 11 korrik në Tiranë. Stadiumi provizor që do të ndërtohet në kryeqytet do të ketë kapacitet 60 mijë vende në tribuna.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)