Gjendja shëndetësore e presidentit amerikan Donald Trump vazhdon të konsiderohet shumë e mirë, sipas raportit të fundit mjekësor të bërë publik nga Shtëpia e Bardhë. Dokumenti, i nënshkruar nga mjeku presidencial Sean P. Barbabella, vjen pas spekulimeve të fundit mbi shëndetin e kreut të shtetit. Sipas raportit, Trump ka shtuar rreth gjashtë kilogramë në peshë dhe paraqet një ënjtje të lehtë në kyçet e këmbëve, ndërsa në duar janë konstatuar disa mavijosje të cilësuara si beninje.
Megjithatë, mjekët theksojnë se ai gëzon një gjendje të shkëlqyer fizike dhe mbetet plotësisht i aftë për të ushtruar detyrat e presidentit dhe komandantit të përgjithshëm të forcave amerikane. Raporti evidenton funksionim normal të sistemit kardiovaskular, atij respirator dhe neurologjik. Po ashtu, Trump ka marrë sërish rezultatin maksimal në testin Montreal Cognitive Assessment, i përdorur për identifikimin e shenjave të mundshme të rënies njohëse ose demencës.
Në muajt e fundit, vëmendje të veçantë kanë tërhequr mavijosjet në duart e presidentit dhe ënjtja e këmbëve, duke nxitur komente dhe diskutime në media. Sipas mjekut presidencial, mavijosjet lidhen me shtrëngimet e shumta të duarve gjatë aktiviteteve zyrtare, si edhe me përdorimin e rregullt të një medikamenti. Megjithatë, disa specialistë të jashtëm kanë ngritur pikëpyetje mbi këtë shpjegim, duke vënë në dukje se shenjat janë shfaqur kryesisht në dorën e majtë.
Raporti thekson gjithashtu se ënjtja në kyçet e këmbëve është më e lehtë krahasuar me vitin e kaluar dhe nuk paraqet shqetësime të veçanta klinike. Ndërkohë, konfirmohet se Trump vazhdon të marrë dy medikamente për kontrollin e nivelit të kolesterolit, pa pasur nevojë për trajtime të tjera mjekësore. Publikimi i këtij dokumenti synon të sqarojë opinionin publik pas zërave që lidhnin mungesën relative të Trump në disa aktivitete publike me probleme të mundshme shëndetësore. Sipas Shtëpisë së Bardhë, rezultatet e kontrollit mjekësor nuk kanë evidentuar asnjë problem serioz.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)