56 vite burg për dosjen “Revanshi”, SPAK jep pretencën për vëllain e ish-deputetit dhe ish-efektivin e RENEA-s

Mes emrave të lidhur me këtë procedim përmenden edhe ish-deputeti Arben Ndoka, Ervis Martinaj, i zhdukur prej vitesh, Aldo Avdyli, Durim Bami, Endrit Dokle dhe Fatmir Hyseni, të cilët janë pjesë e hetimeve në segmente të ndryshme të dosjes.

31.05.2026. 13:58

56 vite burg për dosjen “Revanshi”, SPAK jep pretencën për vëllain e ish-deputetit dhe ish-efektivin e RENEA-s

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pretencën për pesë të pandehur në kuadër të dosjes së njohur si “Revanshi”, duke kërkuar në total 56 vite burgim për personat e përfshirë. Ndër të akuzuarit është edhe Armando Ndreca, vëllai i ish-deputetit socialist Eduard Ndreca, për të cilin SPAK kërkoi dënimin me 15 vite heqje lirie.

Për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, në rast shpalljeje fajtor, dënimi i tij do të reduktohej në 10 vite burg. Për Elvis Ndrecën, prokurorët kërkuan një dënim përfundimtar me 6 vite burg. Ndërkohë, ish-efektivi i RENEA-s, Adrian Pikli rrezikon 7 vite heqje lirie.

Ndërkohë, për Deivis Bajramajn u kërkuan 8 vite burg. Edison Muçeku përballet me një kërkesë për 6 vite burg. Sipas SPAK-ut, të pandehurit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në aktivitete të ndryshme kriminale, ku përfshihen pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal, kultivimi i bimëve narkotike, armëmbajtja pa leje dhe sigurimi i kushteve për kryerjen e vrasjeve.

Hetimet kanë zbuluar se gjatë periudhës maj-korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku dyshohet se kanë siguruar mjetet dhe logjistikën për eliminimin e Hamza Terziut. Nga ana tjetër, Elvis Ndreca akuzohet se ka luajtur rol në krijimin e kushteve për një atentat të mundshëm ndaj Durim Bamit. Në të njëjtën dosje, Armando Ndreca akuzohet si organizator dhe financues i një aktiviteti të paligjshëm që lidhet me prodhimin dhe shitjen e rreth 243 kilogramëve kanabis në qarkun e Lezhës.

Në anën tjetër, Adrian Pikli dhe Deivis Bajramaj akuzohen për përfshirje në trafik armësh. Dosja “Revanshi” është ndarë në disa pjesë hetimore për shkak të numrit të madh të episodeve kriminale dhe personave të përfshirë. Mes emrave të lidhur me këtë procedim përmenden edhe ish-deputeti Arben Ndoka, Ervis Martinaj, i zhdukur prej vitesh, Aldo Avdyli, Durim Bami, Endrit Dokle dhe Fatmir Hyseni, të cilët janë pjesë e hetimeve në segmente të ndryshme të dosjes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)