Dhuna gjatë protestës në Zvërnec: Nis hetimi për Policinë e Vlorës, arrestohet roja private

Drejtoria e Policisë ka urdhëruar nisjen e një hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës, njëkohësisht është pezulluar nga detyra drejtori i Policisë së Vlorës, pas dyshimeve për raportim të pasaktë mbi ngjarjen.

31.05.2026. 09:53

Dhuna gjatë protestës në Zvërnec: Nis hetimi për Policinë e Vlorës, arrestohet roja private

Ngjarjet e protestës së të shtunës kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit kanë sjellë masa të forta nga Policia e Shtetit, pas publikimit të pamjeve ku rojet private ushtronin dhunë ndaj protestuesve. Sipas njoftimit zyrtar, është arrestuar një punonjës i sigurisë private, i identifikuar si Gerald Biba, i cili dyshohet se ka goditur me grusht dhe ka tërhequr zvarrë një qytetar gjatë protestës. Edhe dy roje të tjerë janë vënë nën hetim.

Në pamjet e publikuara në media, disa persona të maskuar që shërbenin si roje sigurie shihen duke përdorur edhe spraj me piper, ndërsa përplasjet kanë përfshirë si protestuesit ashtu edhe forcat e rendit. Pas ngjarjes, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka urdhëruar nisjen e një hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës, për mënyrën e menaxhimit të situatës gjatë tubimit.

Foto nga video

Njëkohësisht, drejtuesi i Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra drejtorin e Policisë së Vlorës, pas dyshimeve për raportim të pasaktë mbi ngjarjen. Në një deklaratë zyrtare, Policia thekson se po hetohen të gjitha veprimet gjatë protestës së mbajtur më 30 maj 2026 në zonën e njohur si “Portonovë”, duke nënvizuar se do të ketë ndëshkime për çdo shkelje të ligjit.

Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme e Policisë së Shtetit:

Identifikohet, kapet dhe arrestohet punonjësi i shoqërisë private të sigurisë së kantierit që goditi me grusht shtetasin E. S.

Ndërkohë, nis hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë.

Menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike ku shfaqet një punonjës i shoqërisë private të sigurisë duke goditur me grusht shtetasin E. S., Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të analizuar dhe hetuar të gjitha veprimet e ndodhura gjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026 nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”.

Në vijim të veprimeve hetimore, u bë identifikimi dhe shoqërimi i punonjësit të shoqërisë private të sigurisë, shtetasit G. B., 32 vjeç, banues në Durrës, i cili, në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestua në flagrancë, i dyshuar për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë" dhe "Plagosja e lehtë me dashje".

Ky shtetas ka goditur me grusht shtetasin E. S. dhe më pas, në bashkëpunim me shtetasit A. G. dhe G. V. (të dy të proceduar penalisht), e kanë tërhequr me forcë drejt vendit të rezervuar për rojet, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.

Ndërkohë, paralelisht me veprimet hetimore, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar ditën e djeshme.

Policia e Shtetit është e vendosur të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, të garantojë sigurinë e jetës dhe të pronës, si dhe të ndëshkojë çdo punonjës policie që neglizhon detyrën apo abuzon me të.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)