Operacion special i Turqisë, nis kthimi i aktivistëve të ndaluar në Izrael, mes tyre shqiptari Baki Goxhaj

Tre avionë të “Turkish Airlines” janë angazhuar për të transportuar aktivistët e mbajtur prej më shumë se 48 orësh nga forcat izraelite. Goxhaj pritet të mbërrijë fillimisht në Stamboll, ku do të pritet nga përfaqësues të konsullatës shqiptare, për t’u nisur më pas drejt Shqipërisë.

21.05.2026. 17:07

Operacion special i Turqisë, nis kthimi i aktivistëve të ndaluar në Izrael, mes tyre shqiptari Baki Goxhaj

Turqia ka organizuar një operacion për transportimin e aktivistëve të flotës humanitare “Global Sumud” nga Izraeli drejt Stambollit, pas ndalimit të tyre nga marina izraelite gjatë misionit për dërgimin e ndihmave në Gaza. Mes aktivistëve që po largohen ndodhet edhe shqiptari Baki Goxhaj.

Sipas autoriteteve turke, tre avionë të “Turkish Airlines” janë angazhuar për të transportuar aktivistët e mbajtur prej më shumë se 48 orësh nga forcat izraelite. Goxhaj pritet të mbërrijë fillimisht në Stamboll, ku do të pritet nga përfaqësues të konsullatës shqiptare, për t’u nisur më pas drejt Shqipërisë.

Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, i cili e cilësoi ndërhyrjen izraelite ndaj flotës si të paligjshme.

“Po punojmë me të gjitha institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë dhe kthimin e sigurt të qytetarëve tanë dhe aktivistëve nga vende të tjera”, deklaroi Fidan, duke shtuar se Ankaraja do të vijojë mbështetjen humanitare për popullin palestinez.

Flotilja “Global Sumud” u ndalua të hënën në ujërat ndërkombëtare pranë Gazës, ndërsa në bord ndodheshin qindra aktivistë nga vende të ndryshme. Sipas raportimeve, mbi 400 persona u shoqëruan nga autoritetet izraelite.

Ngjarja shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare, sidomos pas publikimit të videove nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Ben Gvir, ku shfaqeshin aktivistët gjatë ndalimit. Pamjet u kritikuan nga liderë dhe qeveri europiane, ndërsa Italia dhe Spanja paralajmëruan hapa për sanksione ndaj ministrit izraelit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se videoja e publikuar ishte e papërshtatshme, por mbrojti veprimet e marinës izraelite duke theksuar se Izraeli ka të drejtë të kontrollojë hapësirën detare pranë Gazës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)