“Ekonomia është e kapur”, Tabaku akuzon qeverinë: Mbi 50% të tenderëve i fitojnë vetëm 20 kompani

Në fushën e prokurimeve publike, Tabaku tha se një pjesë e vogël kompanish fiton shumicën e kontratave shtetërore, duke e cilësuar këtë si mungesë të konkurrencës së lirë.

21.05.2026. 18:17

“Ekonomia është e kapur”, Tabaku akuzon qeverinë: Mbi 50% të tenderëve i fitojnë vetëm 20 kompani

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë se ka ndërtuar një model ekonomik që favorizon oligarkët, monopolet dhe klientelizmin, ndërsa sipas saj shtresa e mesme dhe qytetarët po përballen me rritje të kostos së jetesës dhe mungesë shprese.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Tabaku tha se pas 14 vitesh në pushtet, premtimet për barazi dhe drejtësi sociale nuk janë përmbushur, ndërsa ekonomia është përqendruar në duart e një pakice.

“Katërmbëdhjetë vite më parë u premtua barazi dhe drejtësi sociale. Sot Shqipëria është më e shtrenjtë për qytetarët, më e padrejtë për klasën e mesme dhe më e përqendruar në duart e një pakice se kurrë më parë. Qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë, ndërsa përfitimet përqendrohen tek një grup i vogël. Kjo nuk është ekonomi tregu, por një sistem rente dhe privilegjesh.”, tha Tabaku.

Ajo kritikoi gjithashtu narrativën zyrtare mbi rritjen ekonomike dhe inflacionin, duke thënë se shifrat nuk pasqyrojnë realitetin e familjeve shqiptare që, sipas saj, përballen me çmime të larta për ushqime, energji dhe banesa.

Tabaku ngriti shqetësimin edhe për atë që e quajti “taksa e fshehur”, duke argumentuar se mos-indeksimi i fashave të tatimit mbi të ardhurat me inflacionin ka sjellë rritje të barrës fiskale për qytetarët.

“Qytetarët shqiptarë po paguajnë më shumë taksa pa e kuptuar, sepse qeveria nuk ka indeksuar fashat e tatimit me inflacionin. Një mësues apo infermier merr një rritje page vetëm për të përballuar çmimet, por menjëherë kalon në një fashë më të lartë taksimi. Kjo është një taksë e fshehur mbi punën dhe mbi jetën e përditshme të qytetarëve”, shtoi ajo.

Deputetja demokrate akuzoi gjithashtu qeverinë për përqendrim të tregjeve në pak duar, duke përmendur sektorë si karburantet, ushqimet bazë dhe ndërtimi, të cilët sipas saj kontrollohen nga një numër i kufizuar kompanish.

Në fushën e prokurimeve publike, Tabaku tha se një pjesë e vogël kompanish fiton shumicën e kontratave shtetërore, duke e cilësuar këtë si mungesë të konkurrencës së lirë.

Ajo përfundoi duke theksuar se emigracioni i të rinjve lidhet jo vetëm me varfërinë, por edhe me mungesën e drejtësisë dhe meritokracisë në vend.

“Shqiptarët nuk po ikin vetëm nga varfëria. Po ikin nga padrejtësia”, u shpreh Tabaku.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)