Një sulm i madh kibernetik ka goditur rajonin e Helsingborgut dhe zonën përreth, në Suedinë jugore. Media vendase Aftonbladet raporton se janë hasur probleme të mëdha me sistemin e pagesave në Helsingborg dhe njëfarë ndikimi edhe në rrjetin celular, ndërsa problemet thuhet se janë raportuar edhe në Kopenhagen.
Ende është e paqartë nëse problemet lidhen me ndërprerjet e mëdha operative në shërbimin e pagesave Nets, teksa menaxheri për mediat i kompanisë për rajonin nordik, Peter Glüsing, nuk komentoi situatën.
“Nuk ka asgjë të re tani për tani, por sigurisht që do t'ju informojmë kur të kemi më shumë informacion”, tha Peter Glüsing.
Policia në rajonin jugor të Suedisë është në dijeni të informacionit në lidhje me një sulm të dyshuar kibernetik, por ende nuk ka hapur një hetim sipas zëdhënëses së policisë Evelina Olsson. "Por ne po e monitorojmë këtë situatë”, ka thënë ajo për mediat.
Ndërkohë autoritetet kanë vënë në dukje se kanë lindur probleme në lidhje me pagesat me karta por refuzojnë të pranojnë se një sulm kibernetik qëndron pas ndërprerjeve.
Agjencia Suedeze e Mbrojtjes gjithashtu nuk ka asnjë koment nëse është kryer ndonjë sulm në Helsingborg të enjten.
“Ne e dimë që po raportohen probleme. Por sulmet kibernetike po ndodhin çdo ditë në Suedi dhe zakonisht nuk i komentojmë të gjitha në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm sepse kjo do ta bënte më të lehtë për ata që kryejnë sulmet, nëse do të dinin saktësisht atë që dimë ne”, tha John Ahlmark, zëdhënës komunikimi në FRA.
Vlen të theksohet se situata po zhvillohet teksa në Helsinborg zhvillohet ministeriali i NATO-s. Ata që janë përgjegjës për takimin e NATO-s nuk kanë komentuar zhvillimet për një sulm të mundshëm kibernetik teksa janë pyetur nga gazetarët e Aftonbladet.
“Duhet t’ju drejtoj te shërbimi për shtyp i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Unë jam përgjegjëse për logjistikën këtu”, tha Nina Kefi, përfaqësuese për shtypin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)